Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, është takuar në New York me Presidentin e Turqisë, Recep Tayyip Erdoğan, në kuadër të Javës së Nivelit të Lartë të sesionit të 81-të të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara.
Takimi u zhvillua në Turkevi dhe, sipas autoriteteve turke, në fokus ishin marrëdhëniet dypalëshe Kosovë-Turqi, si dhe zhvillimet rajonale e ndërkombëtare. Erdoğan ka deklaruar se Turqia synon të thellojë bashkëpunimin me Kosovën në fushën e sigurisë dhe industrisë së mbrojtjes, si dhe të rrisë më tej shkëmbimet tregtare mes dy vendeve.
Sipas Kurtit, gjatë takimit ai e falënderoi presidentin turk për mbështetjen e vazhdueshme të Ankarasë ndaj Kosovës në procese të ndryshme të shtetndërtimit, diplomacisë dhe forcimit të kapaciteteve të sigurisë.
Kurti tha se marrëdhëniet ekonomike dhe tregtare mes Kosovës dhe Turqisë kanë shënuar rritje dhe se vëllimi tregtar ka arritur rreth 1 miliard dollarë. Ai përmendi gjithashtu investimet dhe bashkëpunimin me kompani turke, përfshirë projektet në industrinë e mbrojtjes dhe energjisë.
Në takim, sipas deklarimeve të Kurtit, është diskutuar edhe roli i Turqisë në KFOR dhe kontributi i saj në sigurinë dhe stabilitetin e Kosovës.
Një pjesë e bisedës iu kushtua edhe vendimit të fundit të Dhomave të Specializuara të Kosovës në Hagë ndaj ish-krerëve të UÇK-së, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi. Kurti e cilësoi aktgjykimin si të padrejtë dhe tha se ai duhet të korrigjohet në procedurën e apelit.
Në takim ishte e pranishme edhe kryetarja e Komunës së Preshevës, Ardita Sinani. Sipas Kurtit, me të u ngrit çështja e trajtimit të shqiptarëve në Luginën e Preshevës, duke përfshirë pasivizimin e adresave, njohjen e diplomave dhe përfaqësimin e shqiptarëve në institucionet shtetërore të Serbisë.
Kurti dhe Erdoğan diskutuan gjithashtu për thellimin e mëtejshëm të marrëdhënieve mes Kosovës dhe Turqisë. Në përfundim të takimit, kryeministri i Kosovës tha se e ka ftuar presidentin Erdoğan për një vizitë zyrtare në Republikën e Kosovës.
Nga ana e tij, Erdoğan ka riafirmuar mbështetjen e Turqisë për Kosovën dhe ka thënë se Ankara do të vazhdojë të punojë për zhvillimin e marrëdhënieve ekonomike, të sigurisë dhe të industrisë së mbrojtjes. Ai gjithashtu e ka ftuar Kurtin në Samitin e Liderëve të COP31, që do të mbahet në Turqi në nëntor./kudoshqip.com