Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, është takuar në selinë e Organizatës së Kombeve të Bashkuara në New York me Përfaqësuesen e Lartë të Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe Siguri, njëherësh Zëvendëspresidente e Komisionit Evropian, Kaja Kallas.
Sipas Kurtit, një nga temat kryesore të takimit ishte sulmi i armatosur në Banjskë të Zveçanit, i cili ndodhi më 24 shtator 2023 dhe ku mbeti i vrarë rreshteri i Policisë së Kosovës, Afrim Bunjaku.
Kurti tha se kërkoi mbështetjen e Bashkimit Evropian për të ushtruar presion ndaj Serbisë, në mënyrë që Milan Radoiçiq dhe personat e tjerë të përfshirë në sulm të përballen me drejtësinë në Kosovë.
Në takim, kryeministri kosovar ngriti edhe çështjen e procesit gjyqësor ndaj ish-drejtuesve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në Dhomat e Specializuara në Hagë. Ai e cilësoi vendimin e shkallës së parë si të padrejtë dhe shprehu shqetësimin për atë që e konsideroi mungesë të plotë të transparencës gjatë procesit.
Kurti theksoi se procesi gjyqësor ende nuk ka përfunduar dhe se Kosova do të angazhohet që vendimi të shqyrtohet dhe, sipas tij, të korrigjohet në fazën e apelit.
Ai foli gjithashtu për luftën e UÇK-së dhe zhvillimet gjatë viteve të luftës në Kosovë, duke argumentuar se organizata ishte krijuar si përgjigje ndaj represionit, vrasjeve, dëbimeve dhe spastrimit etnik të kryer nga forcat serbe. Sipas tij, një pjesë e konsiderueshme e krimeve të kryera gjatë luftës ende nuk janë ndëshkuar.
Një tjetër çështje e ngritur nga Kurti ishte situata e shqiptarëve në Luginën e Preshevës. Ai tha se shqiptarët në këtë pjesë të Serbisë përballen me diskriminim dhe nënpërfaqësim në institucionet publike, ndërsa shprehu shqetësim edhe për heqjen e adresave të banorëve shqiptarë.
Në përfundim të takimit, Kurti theksoi orientimin evropian dhe euroatlantik të Kosovës, duke e krahasuar atë me qasjen e Serbisë ndaj politikës së jashtme.
Sipas kryeministrit, Kosova është e linjëzuar me politikën e jashtme dhe të sigurisë të Bashkimit Evropian dhe ka shënuar përparim në disa fusha. Për këtë arsye, ai tha se një nga hapat e pritshëm nga Brukseli do të ishte dhënia e statusit të vendit kandidat për anëtarësim në Bashkimin Evropian./kudoshqip.com