Boksieri shqiptar Kristian Prenga ndodhet vetëm pak orë larg një prej sfidave më të rëndësishme të karrierës së tij. Ai do të ngjitet në ring për t’u përballur me ish-kampionin e botës në peshat e rënda, Anthony Joshua, në një duel që do të zhvillohet në Xhedah të Arabisë Saudite.
Pak para ndeshjes, Prenga ka përcjellë një mesazh për të gjithë tifozët shqiptarë, duke i falënderuar për mbështetjen e vazhdueshme dhe duke theksuar se është përgatitur me përkushtim maksimal për këtë përballje.
“Përshëndetje për të gjithë shqiptarët. Shpresoj të jeni mirë. Jam gati për këtë sfidë dhe kam punuar fort gjatë gjithë kësaj periudhe. Do të jap maksimumin tim në ring dhe shpresoj t’ju bëj krenarë edhe këtë herë”, u shpreh ai.
Për Prengën, ndeshja ndaj Anthony Joshuas përfaqëson një mundësi të jashtëzakonshme për të matur forcat me një nga boksierët më të njohur të peshave të rënda dhe për të dëshmuar vlerat e tij në arenën ndërkombëtare.
Një paraqitje e mirë apo një fitore në këtë duel do të ishte një nga arritjet më të mëdha në karrierën e boksierit shqiptar, duke i hapur rrugë sfidave edhe më të rëndësishme në të ardhmen.
Pas muajsh stërvitjesh intensive dhe përgatitjesh fizike e taktike, Kristian Prenga shprehet i gatshëm të japë gjithçka në ring dhe të përfaqësojë me dinjitet shqiptarët në një nga ngjarjet më të rëndësishme të boksit profesionist këtë vit.
















