Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka përmbyllur procesin e shqyrtimit të aplikimeve për regjistrimin e votuesve jashtë Kosovës për zgjedhjet e parakohshme parlamentare, të cilat do të mbahen më 7 qershor.
Sipas të dhënave zyrtare, nga gjithsej 142,803 aplikime të pranuara, janë aprovuar 131,800 votues nga diaspora. Ndërkohë, 10,907 aplikime janë refuzuar, ndërsa 96 janë anuluar.
Pjesa më e madhe e bashkatdhetarëve kanë zgjedhur të votojnë përmes postës. Nga numri total i aplikimeve të aprovuara:
100,522 votues janë regjistruar për të pranuar fletëvotimet në adresat e tyre jashtë Kosovës,
3,502 kanë zgjedhur që pakot me fletëvotim t’i dërgojnë në kutinë postare të KQZ-së në Kosovë,
ndërsa 27,776 votues do të votojnë fizikisht në përfaqësitë diplomatike të Kosovës në vendet ku jetojnë.
KQZ ka bërë të ditur se procesi i votimit me postë do të nisë më 25 maj dhe do të zgjasë deri më 6 qershor. Ndërsa votimi fizik në përfaqësitë diplomatike do të zhvillohet më 6 qershor.
Ky numër i konsiderueshëm i votuesve nga diaspora pritet të ketë ndikim të rëndësishëm në rezultatin e zgjedhjeve parlamentare./kudoshqip.com/

















