Në Shtutgart është zhvilluar aktiviteti “Bridging Borders”, i organizuar nga CONCORDIA Germany, me mbështetjen e Konsullatës së Përgjithshme të Republikës së Kosovës në Shtutgart, ku u diskutua për forcimin e lidhjeve mes diasporës dhe iniciativave sociale në Kosovë.
Në fokus të aktivitetit ishte puna e CONCORDIA Kosovo, e cila që nga viti 2021 zhvillon programe në Kosovë në fushën e arsimit, mbështetjes sociale dhe psikologjike, kujdesit shëndetësor, si dhe punës me familjet dhe komunitetin.
Përmes qendrave të saj në Prizren dhe Gjakovë, organizata ofron mbështetje për fëmijë, të rinj dhe familje, me synim krijimin e mundësive më të mira për zhvillimin dhe të ardhmen e tyre.
Aktiviteti në zyrat e CONCORDIA Germany në Shtutgart mblodhi së bashku përfaqësues të diasporës, CONCORDIA Kosovo dhe CONCORDIA Germany. Gjatë takimit u prezantuan aktivitetet e organizatës në Kosovë, ndërsa një pjesë e veçantë iu kushtua nismës “Bridging Borders” dhe rolit që diaspora mund të luajë në mbështetjen dhe zhvillimin e projekteve në Kosovë.
Sipas organizatorëve, qëllimi i kësaj nisme është të krijojë ura të reja bashkëpunimi mes diasporës dhe Kosovës, duke nxitur jo vetëm mbështetjen financiare, por edhe shkëmbimin e njohurive, përvojave, ideve dhe krijimin e partneriteteve konkrete.
Konsullata e Përgjithshme e Republikës së Kosovës në Shtutgart ka theksuar gatishmërinë për të mbështetur iniciativa që kontribuojnë në forcimin e lidhjeve mes Kosovës dhe diasporës.
Aktiviteti u përmbyll me mesazhin se bashkëpunimi ndërmjet Kosovës dhe diasporës mund të shkojë përtej kufijve dhe ndihmës së drejtpërdrejtë, duke krijuar mundësi të qëndrueshme për fëmijët, të rinjtë dhe familjet në Kosovë./kudoshqip.com