Kosova planifikon themelimin e Korporatës Shtetërore të Industrisë së Mbrojtjes, e cila do të përfshijë prodhimin e municioneve, dronëve, automjeteve të blinduara, sistemeve elektronike ushtarake dhe pajisjeve si uniformat, helmetat dhe jelekët antiplumb.
Drafti i koncept-dokumentit, i finalizuar nga Ministria e Mbrojtjes, parasheh krijimin e një parku industrial dhe organizimin e korporatës në gjashtë divizione, me fokus në municione, automjete ushtarake, sisteme pa pilot, elektronikë ushtarake dhe pajisje individuale për pjesëtarët e FSK-së.
Sipas dokumentit, një fabrikë moderne për prodhimin e municioneve mund të ndërtohet në perëndim të vendit, me Jahocin e Gjakovës si lokacion të mundshëm. Po ashtu, parashihet zhvillimi i dronëve taktikë dhe sistemeve kundër dronëve, si dhe mirëmbajtja dhe rindërtimi i automjeteve të blinduara.
Korporata do të synojë edhe zhvillimin e sistemeve të komunikimit, komandimit dhe vëzhgimit ushtarak, duke nxitur bashkëpunimin me kompanitë vendore, investimet e huaja dhe transferimin e teknologjisë.
Struktura e propozuar do të përfshijë gjithashtu departamente për politika dhe legjislacion, kontroll të cilësisë, licencim dhe mbikëqyrje të tregut, si dhe partneritete industriale. Synimi është përfshirja e kompanive private në bashkëprodhim dhe harmonizimi i standardeve me NATO-n dhe Bashkimin Evropian.
Koncept-dokumenti thekson se zhvillimi i industrisë së mbrojtjes do të ndihmonte në modernizimin e FSK-së, uljen e varësisë nga importi, forcimin e sigurisë kombëtare dhe krijimin e vendeve të reja të punës.
Në këtë kuadër, parashihet edhe hartimi i një Ligji për Industrinë e Mbrojtjes, i cili do të rregullojë prodhimin, tregtimin, eksportin dhe licencimin e armëve e pajisjeve ushtarake.
Koncept-dokumenti vlerëson se mjedisi global i sigurisë po bëhet gjithnjë e më i paqëndrueshëm, ndërsa kërcënimet po marrin forma më komplekse. Në këtë kontekst, theksohet nevoja për kapacitete të avancuara të paralajmërimit të hershëm dhe reagimit të shpejtë ndaj sfidave si konfliktet hibride, sulmet kibernetike, terrorizmi dhe konkurrenca gjeopolitike.
Zhvillimi i industrisë së mbrojtjes shihet si një hap i rëndësishëm për forcimin e sigurisë kombëtare, modernizimin e pajisjeve ushtarake dhe uljen e varësisë nga importi. Sipas dokumentit, ky sektor mund të nxisë gjithashtu inovacionin, investimet e huaja, hapjen e vendeve të reja të punës dhe bashkëpunimin me aleatët ndërkombëtarë.
Dokumenti vë në pah mungesën e kapaciteteve teknike dhe infrastrukturore të Kosovës për prodhimin e teknologjive të avancuara të mbrojtjes, duke propozuar një model të kombinuar, të bazuar në përvojat e Kroacisë, Turqisë, Shqipërisë dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Në këtë kuadër, propozohet hartimi i një Ligji për Industrinë e Mbrojtjes, i cili do të rregullojë prodhimin, tregtimin dhe eksportin e armëve e pajisjeve ushtarake, licencimin e kompanive dhe mbrojtjen e interesit kombëtar, duke nxitur njëkohësisht zhvillimin ekonomik dhe inovacionin.