Gjermani – Në kuadër të forcimit të bashkëpunimit me institucionet lokale në landin e Baden-Württembergut, Konsulli i Përgjithshëm i Republikës së Kosovës në Shtutgart, Hamdi Bërbatovci, është pritur në takim nga kryetari i qytetit të Backnangut, Maximilian Friedrich.
Gjatë takimit, palët diskutuan për mundësitë e thellimit të bashkëpunimit në fushën e ekonomisë dhe kulturës, organizimin e nismave të përbashkëta, si dhe rëndësinë e mësimit plotësues të gjuhës shqipe.
Një pjesë e diskutimit iu kushtua edhe komunitetit kosovar që jeton në Backnang, kontributit të tij në jetën shoqërore dhe ekonomike të qytetit, si dhe mundësive për të forcuar më tej lidhjet ndërmjet komunitetit dhe institucioneve lokale.
Me këtë rast, Konsullata e Përgjithshme e Republikës së Kosovës në Shtutgart shprehu mirënjohjen për kryetarin Maximilian Friedrich për pritjen dhe gatishmërinë e treguar për thellimin e bashkëpunimit në të ardhmen.
Takime të tilla synojnë të forcojnë marrëdhëniet ndërmjet Kosovës dhe institucioneve lokale në Gjermani, duke krijuar mundësi të reja bashkëpunimi në interes të qytetarëve dhe komunitetit kosovar./kudoshqip