Reformat ekonomike, inovacioni dhe forcimi i konkurrueshmërisë ishin temat kryesore të Kuvendit të Përgjithshëm vjetor të Këshillit Ekonomik të Bavarisë, ku mori pjesë edhe Konsulli i Përgjithshëm i Republikës së Kosovës në Mynih, Afrim Nura.
Konsulli i Përgjithshëm i Republikës së Kosovës në Mynih, Afrim Nura, mori pjesë në Kuvendin e Përgjithshëm vjetor të Këshillit Ekonomik të Bavarisë (Wirtschaftsbeirat Bayern 2026), një aktivitet që mblodhi përfaqësues të politikës, institucioneve dhe komunitetit të biznesit për të diskutuar zhvillimet ekonomike, sfidat e inovacionit dhe mundësitë për rritjen e investimeve.
Në fjalimet kryesore, presidentja e Këshillit, Prof. Dr. Angelika Niebler, dhe kryeministri i Bavarisë, Dr. Markus Söder, u ndalën te reformat e nevojshme ekonomike, nxitja e sipërmarrjes, zhvillimi i inovacionit dhe forcimi i konkurrueshmërisë, me theks të veçantë në investimet strategjike dhe perspektivat e zhvillimit ekonomik.
Gjatë aktivitetit, konsulli Nura zhvilloi një bisedë me Prof. Dr. Angelika Niebler, e cila shprehu gatishmërinë për bashkëpunim dhe mbështetje ndaj Republikës së Kosovës në çështjet që lidhen me Bashkimin Evropian.

Në kuadër të aktivitetit, Nura mori pjesë edhe në pritjen zyrtare të organizuar në Pallatin Rezidencial të Mynihut. Aty, në mesin e të pranishmëve ishte edhe ministri i Drejtësisë i Bavarisë, Josef Schmid, si dhe përfaqësues të institucioneve bavareze dhe drejtues të kompanive të njohura.
Ndër bashkëbiseduesit ishte edhe Dr. Ralf Wintergerst, kryetar i bordit të kompanisë Giesecke+Devrient, si dhe përfaqësues të bizneseve shqiptare nga diaspora, përfshirë drejtuesit e Hazrolli Group.
Diskutimet u përqendruan në mundësitë për investime, zgjerimin e bashkëpunimit ekonomik dhe krijimin e partneriteteve të reja ndërmjet bizneseve dhe institucioneve bavareze dhe Republikës së Kosovës.

Pjesëmarrja në këtë forum përbën një mundësi për forcimin e lidhjeve me institucionet dhe komunitetin e biznesit në Bavari, si dhe për promovimin e potencialit ekonomik të Kosovës dhe nxitjen e bashkëpunimit me investitorët dhe sipërmarrësit e diasporës./kudoshqip