Mynih – Konsulli i Përgjithshëm i Republikës së Kosovës në Mynih, Afrim Nura, mori pjesë si i ftuar nderi në Kongresin e CSU-së 2026, me ftesë të sekretarit të përgjithshëm të kësaj partie, Martin Huber.

Në këtë ngjarje politike morën pjesë edhe kancelari federal i Gjermanisë, Friedrich Merz, si dhe kryeministri i Bavarisë dhe kryetari i CSU-së, Markus Söder. Gjatë kongresit u diskutuan çështje që lidhen me reformat ekonomike dhe mbrojtjen e vlerave demokratike.
Gjatë qëndrimit në kongres, konsulli Nura zhvilloi bisedime me përfaqësues të politikës bavareze, ndër të cilët edhe ministrin Manuel Knoll, i cili kishte vizituar më parë Kosovën në cilësinë e deputetit. Diskutimet u përqendruan në mundësitë për thellimin e mëtejshëm të bashkëpunimit ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Bavarisë.
Një tjetër moment i rëndësishëm ishte takimi me Elias Cosa, të riun me prejardhje nga Kosova, i cili së fundmi u zgjodh anëtar i Kryesisë Federale të të Rinjve të Unionit (JU – Bundesvorstand). Zgjedhja e tij përfaqëson një shembull të angazhimit të të rinjve me rrënjë nga Kosova në jetën politike dhe institucionale të Gjermanisë.

Pjesëmarrja në aktivitete të tilla dhe komunikimi i drejtpërdrejtë me përfaqësuesit politikë gjermanë krijojnë mundësi për forcimin e marrëdhënieve ndërinstitucionale, zgjerimin e bashkëpunimit Kosovë–Bavari dhe avancimin e agjendës së përbashkët evropiane dhe euroatlantike.
Lidhjet me përfaqësuesit politikë të Bavarisë dhe angazhimi i bashkatdhetarëve në institucionet gjermane mbeten ura të rëndësishme bashkëpunimi ndërmjet Kosovës dhe Gjermanisë./kudoshqip