Shqip kudo që je! Rreth nesh Reklamo

Konsullata e Kosovës në Toronto bashkon mjekët shqiptarë në Kanada

Konsullata e Kosovës në Toronto bashkon mjekët shqiptarë në Kanada - Konsullata Kosovës nëTorontobashkonmjekëtshqiptarënëKanada
– min lexim Shpërndaje

Toronto, Kanada – Në kuadër të aktiviteteve të Konsullatës së Përgjithshme të Republikës së Kosovës në Toronto, u zhvillua një takim me mjekë dhe profesionistë të shquar shqiptarë të fushës së shëndetësisë, të cilët prej vitesh jetojnë dhe ushtrojnë veprimtarinë e tyre profesionale në Kanada.

Takimi shërbeu si një mundësi për të vlerësuar arritjet e tyre profesionale dhe shkencore, si dhe kontributin e çmuar që japin në universitete dhe institucione shëndetësore kanadeze. Përmes profesionalizmit, përkushtimit dhe rezultateve të tyre, këta profesionistë përfaqësojnë me dinjitet komunitetin shqiptar dhe dëshmojnë potencialin e madh të diasporës për të kontribuar në zhvillimin e vendeve të origjinës.

Në këtë takim mori pjesë edhe ambasadorja e Republikës së Shqipërisë në Kanada, znj. Artemis Malo. Të pranishmit shkëmbyen përvoja dhe diskutuan mundësitë e bashkëpunimit ndërmjet profesionistëve shqiptarë në Kanada dhe institucioneve shëndetësore në Kosovë dhe Shqipëri, me synimin që ekspertiza e fituar në sistemin shëndetësor kanadez të vihet në shërbim të përmirësimit të kujdesit shëndetësor në të dyja vendet.

Përmes një videomesazhi, takimin e përshëndeti ministri i Shëndetësisë i Republikës së Kosovës, z. Arben Vitia, i cili falënderoi mjekët shqiptarë për angazhimin dhe arritjet e tyre në Kanada. Ai theksoi përpjekjet për përmirësimin e shërbimeve shëndetësore në Kosovë dhe u bëri thirrje profesionistëve të diasporës që të kontribuojnë me njohuritë dhe përvojën e tyre. Njëkohësisht, shprehu gatishmërinë e Ministrisë së Shëndetësisë për të zhvilluar takime, vizita dhe forma konkrete bashkëpunimi me profesionistët shqiptarë jashtë vendit.

Pjesë e takimit ishte edhe një delegacion i mjekëve nga Qendra Klinike Universitare e Kosovës (QKUK), të cilët ndanë përvojat e tyre profesionale dhe krijuan kontakte të reja me kolegët shqiptarë në Kanada. Këto ndërveprime përbëjnë një hap të rëndësishëm drejt shkëmbimit të njohurive, zhvillimit profesional dhe krijimit të partneriteteve të qëndrueshme në fushën e shëndetësisë.

Konsulli i Përgjithshëm i Republikës së Kosovës në Toronto, z. Kadri Dakaj, falënderoi të gjithë pjesëmarrësit për praninë, kontributin dhe gatishmërinë për të ndërtuar ura të reja bashkëpunimi ndërmjet diasporës dhe institucioneve në atdhe.

Konsullata e Përgjithshme e Republikës së Kosovës në Toronto do të vazhdojë të mbështesë nisma të tilla, të cilat forcojnë lidhjet me diasporën profesionale dhe krijojnë mundësi konkrete për shkëmbim përvojash, bashkëpunim institucional dhe zhvillim të mëtejshëm të sektorit të shëndetësisë në Kosovë dhe Shqipëri./kudoshqip

– min lexim Shpërndaje

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Shërbime për diasporën

Mjete praktike, falas