Konsulli i Përgjithshëm i Republikës së Kosovës në Mynih, Afrim Nura, së bashku me konsullin Naser Bejtullahu, mori pjesë në ceremoninë e ndërrimit të komandës së Komandës Rajonale të Bundeswehr-it në Bavari (Landeskommando Bayern), e mbajtur në Pallatin Schleißheim.
Në këtë ceremoni morën pjesë kryeministri i Bavarisë, Markus Söder, ministri i Brendshëm i Bavarisë, Joachim Herrmann, si dhe përfaqësues të lartë të institucioneve politike, ushtarake dhe diplomatike.
Gjatë ceremonisë, gjeneral brigade Rainer Simon mori zyrtarisht detyrën nga gjeneral brigade Thomas Hambach, duke shënuar kështu kalimin e komandës së institucionit përgjegjës për koordinimin rajonal të Bundeswehr-it në Bavari.
Me këtë rast, konsulli i Përgjithshëm Afrim Nura zhvilloi një takim me gjeneralin Hambach, të cilit i shprehu mirënjohjen për shërbimin dhe angazhimin e tij, përfshirë edhe kontributin gjatë misionit të tij në Kosovë.
Njëkohësisht, Nura e uroi gjeneralin Rainer Simon për marrjen e detyrës së re, duke shprehur gatishmërinë për vazhdimin dhe thellimin e bashkëpunimit ndërmjet Republikës së Kosovës dhe institucioneve politike e ushtarake të Bavarisë.
Ceremonia dhe takimet e zhvilluara në kuadër të saj krijuan mundësi për forcimin e mëtejshëm të kontakteve dhe të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe institucioneve bavareze./kudoshqip.com