Koalicioni qeverisës në Gjermani ka arritur një marrëveshje për një paketë të gjerë reformash, që synon nxitjen e rritjes ekonomike dhe përmirësimin e tregut të punës. Sipas raportimeve mediatike, drejtuesit e CDU-së, CSU-së dhe SPD-së janë dakordësuar mbi një sërë masash kyçe që përfshijnë reformën e sistemit tatimor, pensioneve, reduktimin e burokracisë si dhe ndryshime në rregullimin e orarit të punës.
Në takimin vendimtar morën pjesë katër figurat kryesore politike: Friedrich Merz (CDU), Markus Söder (CSU), si dhe përfaqësuesit e SPD-së, Bärbel Bas dhe Lars Klingbeil. Ata pritet të dalin gjatë ditës së sotme në një konferencë për shtyp për të bërë publike detajet konkrete të marrëveshjes.
Megjithëse informacionet zyrtare janë ende të kufizuara, burime pranë negociatave bëjnë të ditur se paketa e reformave do të ketë ndikim të drejtpërdrejtë në jetën e qytetarëve në Gjermani. Vëmendje e veçantë i kushtohet reformës tatimore, e cila konsiderohet si një nga çështjet më të ndjeshme dhe me ndikimin më të gjerë në shoqëri.
Gjithashtu raportohet se pikërisht tatimet kanë qenë një nga pikat më të diskutueshme gjatë negociatave mes partnerëve të koalicionit. Pavarësisht kësaj, palët kanë rënë dakord të mos bëjnë deklarata publike para prezantimit zyrtar të marrëveshjes.
















