Shqip kudo që je!

Haxhiu: Kosova do të vazhdojë të qëndrojë përkrah Ukrainës

Haxhiu: Kosova do të vazhdojë të qëndrojë përkrah Ukrainës - Haxhiu Kosova do tëvazhdojëtëqëndrojëpërkrahUkrainës

U.D. Presidentja e Republikës së Kosovës, Albulena Haxhiu, së bashku me kryeministrin në detyrë, Albin Kurti, kanë pritur sot gazetarë ukrainas që po qëndrojnë në Kosovë, me rastin e Ditës së Pavarësisë së Ukrainës.

Në fjalën e saj, Haxhiu ka vlerësuar qëndrueshmërinë e popullit ukrainas përballë agresionit rus, duke theksuar se Kosova e njeh nga afër çmimin njerëzor të luftës dhe rëndësinë e solidaritetit në kohë të vështira.

“Ne kemi qëndruar përkrah Ukrainës që nga ditët e para të pushtimit rus”, ka deklaruar Haxhiu, duke nënvizuar se Kosova e mbështet të drejtën e Ukrainës për të mbrojtur sovranitetin, territorin dhe të ardhmen e saj.

Ajo ka rikujtuar masat e ndërmarra nga Kosova në mbështetje të Ukrainës, përfshirë vendosjen e sanksioneve ndaj Rusisë, harmonizimin me partnerët evropianë dhe transatlantikë, pritjen e gazetarëve ukrainas dhe pezullimin e përkohshëm të regjimit të vizave për qytetarët ukrainas.

Haxhiu ka theksuar gjithashtu mbështetjen në fushën e mbrojtjes. Kosova është pjesë e Grupit të Kontaktit për Mbrojtjen e Ukrainës, ndërsa pjesëtarë të FSK-së kanë marrë pjesë në trajnimin e ushtarakëve ukrainas, përfshirë operacionin “Interflex”. Sipas saj, Kosova ka ofruar edhe dy pako ndihmë ushtarake, me 30 automjete ushtarake dhe 10 mijë predha mortajash.

Duke folur për gazetarët ukrainas që kanë gjetur strehim në Kosovë, Haxhiu ka theksuar rëndësinë e punës së tyre në dokumentimin e luftës dhe informimin e opinionit ndërkombëtar.

“Gjatë luftës sonë e kuptuam sa e rëndësishme ishte që dikush ta dokumentonte atë që po ndodhte dhe të sigurohej që bota ta shihte”, është shprehur ajo.

Haxhiu ka thënë se Kosova dëshiron një paqe për Ukrainën që garanton pavarësinë, sovranitetin dhe tërësinë territoriale të saj, si dhe të drejtën e popullit ukrainas për të vendosur vetë për të ardhmen dhe për ta rindërtuar vendin në liri.

“Kosova do të vazhdojë të qëndrojë përkrah Ukrainës”, ka përfunduar Haxhiu, duke uruar popullin ukrainas me rastin e Ditës së Pavarësisë./kudoshqip.com

Facebook
LinkedIn
x.com
Pinterest
WhatsApp

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Lajmet e Fundit

Në Fokus