Pasagjerët e Lufthansa po përballen me vonesa dhe anulime të shumta këtë të premte, pasi stjuardesat dhe stjuardët kanë hyrë në grevë. Aksioni sindikal, i organizuar nga sindikata UFO, ka nisur në orët e para të mëngjesit dhe pritet të zgjasë deri në mbrëmje.
Greva prek veçanërisht nisjet nga aeroportet kryesore në Frankfurt dhe Munich, si dhe fluturimet e Lufthansa CityLine nga disa qytete të tjera, përfshirë Hamburgun, Berlinin dhe Dyseldorfin.
Sipas parashikimeve të industrisë, mbi 500 fluturime mund të anulohen. Në Frankfurt, një nga qendrat më të mëdha ajrore, rreth 75 për qind e nisjeve të planifikuara janë anuluar, duke krijuar kaos për mijëra udhëtarë, veçanërisht në fund të pushimeve të Pashkëve.
Kompania ka bërë të ditur se po përpiqet të zbusë situatën duke angazhuar linja të tjera të grupit si Eurowings dhe Austrian Airlines, si dhe duke shtuar kapacitetet aty ku është e mundur.
Nga ana tjetër, drejtuesit e kompanisë dhe përfaqësuesit e sindikatës kanë shkëmbyer akuza për situatën e krijuar. Menaxhmenti i Lufthansa-s e cilësoi kohën e grevës si të papërshtatshme, ndërsa sindikata argumenton se veprimi ishte i domosdoshëm për shkak të mungesës së progresit në negociata.
Situata pritet të ketë ndikim edhe në ditët në vijim, pasi mungesa e avionëve në destinacione të ndryshme mund të shkaktojë vonesa zinxhirore në rrjetin e fluturimeve.

















