Berlin – Qeveria gjermane po synon të thjeshtojë ndjeshëm procedurat për përfitimin e shtesave për fëmijë, përmes një reforme që pritet të reduktojë burokracitë dhe të lehtësojë jetën e familjeve. Projekti është aktualisht në shqyrtim në Bundestag, ku ka nxitur reagime të ndryshme politike.
Sipas propozimit të paraqitur nga ministri i Financave, Lars Klingbeil (SPD), duke filluar nga viti i ardhshëm, prindërit e fëmijëve të porsalindur do të marrin automatikisht shtesat për fëmijë, pa pasur nevojë të paraqesin aplikime.
Ministri theksoi se qëllimi i reformës është eliminimi i barrës administrative dhe përshpejtimi i procedurave. Aktualisht, çdo vit paraqiten rreth 300 mijë aplikime për këtë përfitim, të cilat pritet të shmangen plotësisht me hyrjen në fuqi të sistemit të ri.
“Reforma do të përmirësojë jetën e qindra mijëra familjeve në vendin tonë. Prindërit do të marrin përfitimet automatikisht, pa burokraci dhe në mënyrë të shpejtë. Kjo do të thotë më shumë kohë për foshnjat dhe më pak kohë për procedura administrative”, deklaroi Klingbeil gjatë prezantimit të projektligjit.
Kabineti qeveritar e ka miratuar tashmë draftin në muajin mars. Pas debatit në Bundestag, projektligji pritet të kalojë edhe në Bundesrat për miratim përfundimtar. Sipas planit aktual, zbatimi i reformës do të bëhet në dy faza, duke filluar nga viti i ardhshëm.
Aktualisht, shtesat për fëmijë në Gjermani janë në vlerën 259 euro në muaj për çdo fëmijë, pa marrë parasysh nivelin e të ardhurave të familjes.
Detaje të mëtejshme mbi zbatimin praktik dhe fazat konkrete të reformës pritet të bëhen të ditura pas përfundimit të procesit legjislativ./kudoshqip.com/

















