Në kuadër të angazhimeve për thellimin e bashkëpunimit me bizneset e diasporës dhe promovimin e potencialit të tyre ekonomik, Konsullata e Përgjithshme e Republikës së Kosovës në Mynih ka zhvilluar një vizitë në kompaninë Bellaqa GmbH, me seli në Oberding të Bavarisë.
Vizita u realizua nga Konsulli i Përgjithshëm, Afrim Nura, i shoqëruar nga Konsulli Afrim Deliu, të cilët u pritën nga drejtuesit e kompanisë.
Bellaqa GmbH, e themeluar dhe e udhëhequr nga vëllezërit Jeton, Dritan, Valon dhe Alzan Bellaqa, përfaqëson një ndër bizneset në rritje të vazhdueshme në tregun bavarez. Kompania operon në disa fusha kyçe, përfshirë ndërtimin dhe mirëmbajtjen e hapësirave të gjelbra (Galabau), punimet profesionale të shpimit dhe prerjes së betonit, si dhe tregtinë, huazimin dhe servisimin e rimorkiove dhe pajisjeve për sektorin e transportit dhe ndërtimtarisë.
Përmes aktivitetit të saj tregtar, kompania kontribuon gjithashtu në promovimin e produkteve ushqimore nga Kosova në tregun gjerman, duke forcuar lidhjet ekonomike ndërmjet dy vendeve.
Përveç suksesit në Gjermani, Bellaqa GmbH shquhet edhe për angazhimin e saj në Kosovë, ku përmes investimeve konkrete kontribuon në zhvillimin ekonomik dhe krijimin e mundësive të reja për punësim.
Gjatë vizitës, përfaqësuesit e Konsullatës vlerësuan lart punën, përkushtimin dhe vizionin e drejtuesve të kompanisë. Me 18 punonjës dhe një trend të qëndrueshëm rritjeje, Bellaqa GmbH konsiderohet një shembull i suksesshëm i sipërmarrjes së diasporës shqiptare, i ndërtuar mbi profesionalizëm, cilësi dhe perspektivë zhvillimi.
















