Tregu i pasurive të paluajtshme në kryeqytet po përjeton një fazë kontradiktore: ndërsa çmimet e apartamenteve kanë arritur nivele historike, interesi i blerësve po shfaq shenja të qarta dobësimi.
Sipas të dhënave të publikuara nga agjenci imobiliare, apartamentet në disa prej kullave rezidenciale në Tiranë po ofrohen për mbi 6 mijë euro për metër katror. Një nga ofertat më të fundit përfshin një apartament me sipërfaqe 154 m², me çmim total prej 950 mijë euro, ose rreth 6,200 euro/m². Megjithatë, burime nga tregu bëjnë me dije se në të njëjtin objekt vijojnë të jenë ende të pashitura disa njësi, ndonëse të mobiluara dhe të pabanuara më parë.
Rritja e shpejtë e çmimeve, e shkëputur nga ritmi i rritjes së të ardhurave të qytetarëve, ka rikthyer në vëmendje debatin mbi një mbivlerësim të mundshëm të tregut dhe rrezikun e krijimit të një flluske imobiliare.
Të dhënat zyrtare të INSTAT tregojnë se paga mesatare mujore bruto në tremujorin e parë të vitit ka arritur në 90,119 lekë, me një rritje prej 9.6% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Ndërkohë, paga minimale është rritur në 50 mijë lekë. Pavarësisht këtij përmirësimi, hendeku mes fuqisë blerëse dhe çmimeve të banesave mbetet i konsiderueshëm.
Ekspertët e tregut vërejnë se kërkesa për blerje ka pësuar rënie krahasuar me një vit më parë. Një nga faktorët kryesorë që ka ndikuar në këtë ngadalësim lidhet me goditjet ndaj informalitetit dhe hetimet e institucioneve të drejtësisë ndaj aktiviteteve të dyshimta financiare, të cilat më herët kanë ushqyer investimet në sektorin imobiliar.
Në këto kushte, edhe pse kërkesa është në rënie, çmimet vijojnë të mbeten të larta, pasi ndërtuesit dhe pronarët nuk po reflektojnë ulje në ofertë. Kjo situatë po e bën gjithnjë e më të vështirë për familjet shqiptare sigurimin e një banese, duke rritur presionin mbi tregun dhe duke thelluar sfidat për përballueshmërinë e strehimit./kudoshqip.com

















