Bashkimi Evropian ka dhënë sinjale të qarta se kushtet e sigurisë për hapjen e Urës së Ibrit në Mitrovicë tashmë janë përmbushur, pas vendimit të KFOR-it për të nisur një proces gradual të bartjes së përgjegjësive te autoritetet e sigurisë së Kosovës.
Pas njoftimit të KFOR-it, BE-ja ka konfirmuar se është informuar nga NATO për këtë zhvillim. Një zëdhënës i BE-së ka sqaruar se vendosja dhe riorganizimi i forcave të NATO-s në Kosovë është çështje që i takon vetë Aleancës, ndërsa BE-ja është informuar për vendimin.
Hapja e urës ka qenë prej vitesh një çështje e ndjeshme politike dhe e sigurisë. Në raportin e vitit 2025, BE-ja kishte theksuar se hapja duhej të bëhej pas konsultimeve me partnerët e sigurisë.
Tani, sipas qëndrimit të fundit të BE-së, ky proces mund të ecë përpara pasi janë plotësuar kushtet e kërkuara. “Mund të konfirmojmë se ky është vërtet rasti”, është thënë në përgjigjen e BE-së për Gazetën Express.
Megjithatë, hapja nuk pritet të bëhet përmes një vendimi të menjëhershëm. Procesi do të zhvillohet në mënyrë graduale dhe në koordinim të ngushtë me institucionet e Kosovës, KFOR-in dhe aktorët e tjerë ndërkombëtarë të sigurisë.
BE-ja ka bërë të ditur gjithashtu se misionet ndërkombëtare do të vazhdojnë bashkëpunimin me Policinë e Kosovës dhe KFOR-in, me synimin që të ruhet siguria dhe të garantohet mbrojtje e barabartë për të gjitha komunitetet.
Në këtë mënyrë, pas një periudhe të gjatë debatesh dhe tensionesh rreth statusit të urës, zhvillimet e fundit nga KFOR-i, NATO-ja dhe BE-ja po krijojnë një klimë më të favorshme për hapjen e saj për qarkullim./kudoshqip.com

















