Kryeministri i Bavarisë, Dr. Markus Söder, së bashku me Ministrin e Brendshëm, Joachim Herrmann, kanë përuruar zyrtarisht Qendrën e Kompetencës dhe Mbrojtjes nga Dronët (DKAZ) në qytetin e Erding-ut.
Nën sloganin “Mbrojtja nga dronët – Prodhuar në Bavari”, kjo iniciativë synon të adresojë sfidat e reja të sigurisë që vijnë nga teknologjia e fluturakeve pa pilot.
Söder: “Siguria nuk është rastësi”
Gjatë ceremonisë, Kryeministri Söder theksoi se sfidat e reja kërkojnë masa të reja dhe të shpejta. Sipas tij, diktimi i dronëve kërkon vendimmarrje të menjëhershme për të mbrojtur pikat kritike.
“Rreziqet duhet të njihen, të verifikohen dhe, në rast nevoje, të zmbrapsen me vendosmëri,” u shpreh Söder. “Me këtë qendër, aeroportet, eventet e mëdha dhe institucionet e ndjeshme do të jenë edhe më të mbrojtura. Siguria nuk është rastësi, por rezultat i veprimeve të vendosura”.
Një bashkëpunim unik në Gjermani
Në bashkëpunim me “Defense Lab”, po krijohet në Erding një ekosistem inovacioni unik në shkallë kombëtare. Ky projekt bën bashkë aktorë të rëndësishëm si:
• Ushtria Gjermane (Bundeswehr)
• Shkenca dhe Institutet Kërkimore
• Start-up-et dhe Industria
• Policia e Shtetit
Ky bashkëpunim i ngushtë synon që inovacionet teknologjike të kalojnë sa më shpejt nga faza e testimit në praktikën e përditshme të sigurisë. Söder mbylli fjalën e tij duke falënderuar policinë për punën e tyre jetike, duke premtuar se qeveria do të vazhdojë të sigurojë pajisjet dhe mbështetjen e nevojshme për ta./kudoshqip.com

















