Graz, Austri – I Ngarkuari me Punë në Ambasadën e Republikës së Kosovës në Austri, Albinot Bimbashi, më 8 tetor 2026 vizitoi Qendrën Klinike Universitare në Graz, ku zhvilloi takime me kirurgun Prof. Dr. Lars-Peter Kamolz dhe Dr. Lumnije Kqiku.
Gjatë vizitës, Bimbashi i ndau Prof. Dr. Lars-Peter Kamolz-it një mirënjohje për kontributin e tij profesional dhe humanitar, ndihmën e ofruar për pacientët nga Kosova, si dhe angazhimin e vazhdueshëm në forcimin e bashkëpunimit ndërmjet Kosovës dhe Austrisë në fushën e mjekësisë.

Mirënjohje iu shpreh edhe Dr. Lumnije Kqikut, e cila është nderuar me Dekoratën e Artë të Qytetit të Grazit dhe ushtron detyrën e kryetares së Shoqatës së Mjekëve Shqiptarë në Austri. Ajo u vlerësua për bashkëpunimin e saj dhe kontributin në krijimin dhe zhvillimin e lidhjeve ndërmjet dy vendeve.
Kjo vizitë riafirmon rëndësinë e bashkëpunimit ndërmjet Kosovës dhe Austrisë në fushën e shëndetësisë, si dhe rolin e profesionistëve mjekësorë në ndërtimin e urave të bashkëpunimit dhe forcimin e miqësisë ndërmjet dy vendeve./kudoshqip.com