Një ngjarje e rëndë ka tronditur komunitetin shqiptar në Gjermani dhe Kosovë, pasi dy vajza nga Topanica e Kamenicës kanë humbur jetën në një aksident të rëndë trafiku.
Viktimat janë dy motra të reja, të moshave 24 dhe 18 vjeç, të cilat ndodheshin në të njëjtën veturë në momentin e aksidentit. Lajmi për vdekjen e tyre është konfirmuar nga familjarë dhe të afërm, duke shkaktuar dhimbje të madhe në vendlindjen e tyre dhe te komuniteti shqiptar në diasporë.
Sipas raportimeve të mediave gjermane, aksidenti ka ndodhur pas një përplasjeje të fortë mes dy automjeteve në një autostradë. Hetimet paraprake tregojnë se shkaku i mundshëm i ngjarjes mund të ketë qenë një manovër e pasuksesshme për ndërrimin e korsisë, e cila çoi në përplasjen fillestare.
Pas aksidentit të parë, në vendngjarje u përfshinë edhe disa automjete të tjera, duke shkaktuar një aksident zinxhiror ku morën pjesë gjithsej pesë vetura. Një person raportohet të ketë pësuar lëndime të rënda dhe është dërguar për trajtim mjekësor.
Autoritetet gjermane kanë bërë të ditur se pasagjerët e automjeteve të tjera kanë shpëtuar pa lëndime serioze, ndërsa dy vajzat kosovare humbën jetën në vendin e ngjarjes si pasojë e plagëve të marra.
Policia ka nisur hetimet për të sqaruar plotësisht rrethanat dhe shkaqet e aksidentit tragjik.
Ngushëllime familjeve, të afërmve dhe gjithë atyre që i njohën të ndjerat. 🕊️

















