Konsulli i Përgjithshëm i Republikës së Kosovës në Mynih, Afrim Nura, ka marrë pjesë në një sesion informues të organizuar nga Lëvizja Evropiane (Europäische Bewegung), në ambientet e IBZ-së në Mynih.
Aktiviteti u mbajt me ftesë të zëvendëspresidentit të Lëvizjes Evropiane në Bavari, Prof. Dr. Gerhard Sabathil, ndërsa në fokus të diskutimeve ishin proceset vendimmarrëse dhe reformat e ardhshme të Bashkimit Evropian, si dhe perspektiva evropiane e Kosovës.
Gjatë takimit, konsulli Nura zhvilloi bisedime me sekretarin e përgjithshëm të Lëvizjes Evropiane në Gjermani (EBD), Bernd Hüttemann, lidhur me procesin e integrimit evropian të Kosovës.
Po ashtu, në takimin me Prof. Dr. Gerhard Sabathil u diskutuan mundësitë konkrete për zgjerimin e bashkëpunimit në Universitetin Ludwig Maximilian (LMU) në Mynih, në mbështetje të synimeve dhe aspiratave evropiane të Kosovës.
Pjesëmarrja në këtë aktivitet synon promovimin e perspektivës evropiane të Kosovës dhe forcimin e bashkëpunimit me institucionet dhe organizatat që mbështesin projektin evropian në Bavari dhe Gjermani./kudoshqip.com