Shqip kudo që je!

Operacioni i SPAK trondit sektorin e ndërtimit: në shënjestër milionat e dyshimta

Operacioni i SPAK trondit sektorin e ndërtimit: në shënjestër milionat e dyshimta - Operacioni SPAK tronditsektorinendërtimitnëshënjestërmilionatedyshimta

Operacioni i fundit i SPAK, që çoi në lëshimin e urdhër-arresteve për Artur Shehun, Ilir Shtufin dhe Orest Sotën, nën dyshimet për pastrim parash me burim nga trafiku i drogës, po konsiderohet si një nga goditjet më të forta të viteve të fundit ndaj ekonomisë informale në Shqipëri, veçanërisht në sektorin e ndërtimit.

Prej kohësh, ekspertë të ekonomisë, media dhe raporte ndërkombëtare kanë ngritur shqetësimin se tregu i ndërtimit në vend po ndikohet nga flukse të konsiderueshme parash me origjinë të paqartë. Hetimet e fundit duket se po fokusohen pikërisht tek disa prej përfituesve më të mëdhenj të lejeve të ndërtimit në vend.

Të dhënat nga lejet e miratuara nga Këshilli Kombëtar i Territorit tregojnë se një grup kompanish të lidhura me biznesmenët Ilir Shtufi, Kujtim Shtufi dhe Mark Luli kanë siguruar numrin më të lartë të lejeve për ndërtime shumëkatëshe në Tiranë.

Bëhet fjalë për kompani si Nova Construction Group, Ferro Beton & Construction CO, Devealb Construction dhe M.C Inerte, të cilat në total kanë përfituar 11 leje ndërtimi për rezidenca dhe struktura hoteliere, me një sipërfaqe të përgjithshme rreth 727 mijë metra katrorë. Ky volum përfaqëson afërsisht 15% të ndërtimeve të larta të miratuara në vitet e fundit.

Në qendër të hetimeve është gjithashtu edhe emri i Orest Sotës. Kompania Forever Construction, në pronësi të babait të tij Lefter Sota, ka marrë tre leje për projekte kullash me një sipërfaqe totale prej rreth 238 mijë metrash katrorë. Një ndër projektet më të mëdha ndodhet në bulevardin “Gjergj Fishta”, i cili fillimisht ishte planifikuar si një ndërtesë 18-katëshe me mbi 102 mijë metra katrorë, por më pas u zgjerua në rreth 155 mijë metra katrorë. Projekte të tjera janë zhvilluar në zonën e ish-Bllokut dhe në rrugën “Asim Vokshi”.

Ndërkohë, Artur Shehu lidhet me prona të shumta në zonën e Zvërnecit, ku është parashikuar ndërtimi i një resorti luksoz turistik me investitorë nga Katari. Ky projekt ka tërhequr vëmendje ndërkombëtare, pasi është promovuar edhe nga Ivanka Trump dhe Jared Kushner, të afërm të ish-presidentit amerikan Donald Trump.

Ky operacion rikthen në vëmendje një nga pyetjet më të rëndësishme për ekonominë shqiptare: sa i ekspozuar është sektori i ndërtimit ndaj kapitalit me burim të paligjshëm dhe cilat janë mekanizmat për ta parandaluar këtë fenomen./kudoshqip.com/

Facebook
LinkedIn
x.com
Pinterest
WhatsApp

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Lajmet e Fundit

Në Fokus