Në Aeroportin e Salzburgut “Wolfgang Amadeus Mozart” është përuruar zyrtarisht linja e re ajrore direkte Prishtinë–Salzburg–Prishtinë, një zhvillim i rëndësishëm që pritet të forcojë lidhjet ndërmjet Kosovës dhe Austrisë.
Në ceremoninë inauguruese mori pjesë si i ftuar nderi i Ngarkuari me Punë në Ambasadën e Republikës së Kosovës në Austri, z. Albinot Bimbashi. Të pranishëm ishin gjithashtu Drejtoresha Ekzekutive e Aeroportit të Salzburgut, znj. Bettina Ganghofer, si dhe Përgjegjësja për Marketing, znj. Isabella Laimer.
Linja e re, e operuar nga kompania ajrore GP Aviation, do të realizojë dy fluturime në javë. Ajo synon të lehtësojë udhëtimin e diasporës shqiptare drejt Kosovës, si dhe të nxisë më tej bashkëpunimin në fusha të ndryshme, përfshirë kulturën, ekonominë dhe turizmin.
Me këtë zhvillim, Salzburgu bëhet qyteti i dytë në Austri, pas Vjenës, që lidhet drejtpërdrejt me Kosovën përmes fluturimeve ajrore.
Hapja e kësaj linje konsiderohet një hap i rëndësishëm në thellimin e marrëdhënieve ndërmjet dy vendeve dhe në rritjen e mundësive për shkëmbime të ndërsjella./kudoshqip.com

















