Zëvendësministri i Punëve të Jashtme dhe Diasporës së Republika e Kosovës, Kreshnik Ahmeti, mori pjesë në pritjen e organizuar në New York nga Konsullata e Përgjithshme e Republikës së Kosovës, për korin diplomatik të shteteve anëtare të Organizata e Kombeve të Bashkuara, me rastin e shënimit të 18-vjetorit të shpalljes së pavarësisë së Kosovës.
Në këtë ngjarje morën pjesë përfaqësues të misioneve diplomatike të akredituara pranë OKB-së, diplomatë, zyrtarë ndërkombëtarë dhe përfaqësues të komunitetit shqiptar në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Në fjalën e tij përshëndetëse, zëvendësministri Ahmeti shprehu mirënjohjen e thellë për Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe aleatët e tjerë ndërkombëtarë për mbështetjen e vazhdueshme ndaj Kosovës, duke theksuar rolin vendimtar të tyre në procesin e shtetndërtimit dhe në forcimin e institucioneve demokratike të vendit.
Ai nënvizoi se gjatë 18 viteve të fundit, Kosova ka shënuar progres të dukshëm në konsolidimin e demokracisë, forcimin e sundimit të ligjit dhe zhvillimin ekonomik, duke u pozicionuar si një ndër shtetet më demokratike në rajon. Sipas tij, përparimi institucional dhe stabiliteti politik janë dëshmi e përkushtimit të Kosovës ndaj vlerave euroatlantike.

Zëvendësministri Ahmeti theksoi gjithashtu përkushtimin e Republikës së Kosovës për thellimin e bashkëpunimit me partnerët ndërkombëtarë dhe avancimin e synimeve strategjike të vendit, përfshirë anëtarësimin në NATO, në Bashkimin Evropian dhe në Këshillin e Evropës. Ai vlerësoi se këto procese janë thelbësore për mbrojtjen e sovranitetit të Kosovës dhe për kontributin e saj në paqen dhe stabilitetin ndërkombëtar./kudoshqip.com/

















