Në një atmosferë madhështore dhe festive, Ambasada e Republikës së Kosovës në Vjenë organizoi një pritje solemne me rastin e 18-vjetorit të Pavarësisë së Republikës së Kosovës.
Mbrëmja mblodhi ambasadorë, diplomatë dhe përfaqësues institucionesh nga Shqipëria, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Japonia, Kanadaja, Letonia, Mali i Zi, Sllovenia, Turqia, Australia, Danimarka, Gjermania, Finlanda, Luksemburgu dhe Hungaria, si dhe përfaqësues të shumtë të institucioneve austriake.
Ceremonia u hap me intonimin e himneve shtetërore të Republikës së Kosovës dhe Republikës së Austrisë, të interpretuara nga Orkestra Harkore e Filarmonisë së Kosovës, e cila shënoi paraqitjen e saj të parë në Vjenë, duke përbërë një moment të veçantë në kuadër të këtij eventi solemn.

Zëvendëskryeministri i Parë dhe Ministri i Punëve të Jashtme dhe Diasporës i Republikës së Kosovës, z. Glauk Konjufca, në fjalën e tij përshëndetëse vlerësoi rolin historik dhe të vazhdueshëm të Austrisë ndaj Kosovës, duke përmendur kontributin e personaliteteve të shquara austriake si Alois Mock, Franz Vranitzky, Erhard Busek, Wolfgang Petritsch, Ulrike Lunacek dhe Lukas Mandl, të cilët kanë ofruar mbështetje të rëndësishme në periudhat kyçe për Kosovën.
I Ngarkuari me Punë në Ambasadën e Republikës së Kosovës në Austri, z. Albinot Bimbashi, nënvizoi rolin e jashtëzakonshëm të diasporës shqiptare, duke vlerësuar kontributin e saj si në momentet historike për lirinë e vendit, ashtu edhe sot në zhvillimin ekonomik, kulturor dhe institucional të Republikës së Kosovës, duke e cilësuar diasporën si urën më të fortë lidhëse mes Kosovës dhe Austrisë.

Në emër të Ministrisë Federale për Çështje Evropiane dhe Ndërkombëtare të Republikës së Austrisë, ambasadorja Dr. Elisabeth Kornfeind theksoi marrëdhëniet e shkëlqyera mes Austrisë dhe Kosovës, rikonfirmoi mbështetjen e vazhdueshme të Austrisë për procesin e integrimit evropian të Kosovës, si dhe vlerësoi lart kontributin dhe integrimin e suksesshëm të diasporës shqiptare në shoqërinë austriake.

Nën drejtimin e Maestro Edon Ramadan, Filarmonia e Kosovës prezantoi një performancë artistike të nivelit të lartë, e cila u mirëprit dhe u duartrokit ngrohtësisht nga publiku i pranishëm. Programi përfshinte vepra nga Felix Mendelssohn, Drinor Zymberi dhe Valton Beqiri, si dhe interpretime të spikatura nga sopranot Arta Jashari dhe Zana Abazi-Ramadani, duke dëshmuar profesionalizmin, përkushtimin dhe cilësinë e lartë të skenës muzikore të Kosovës.
Ambasada e Republikës së Kosovës në Vjenë shpreh falënderime të veçanta për Drejtorin e Filarmonisë së Kosovës, z. Dardan Selimaj, për bashkëpunimin dhe mbështetjen e çmuar në realizimin e këtij koncerti dhe për mundësimin e sjelljes së Filarmonisë së Kosovës në Vjenë./kudoshqip.com/

















