Një 13-vjeçar është arrestuar nën dyshimin se ka therur me thikë dy nxënës në një shkollë në veriperëndim të Londrës, raporton BBC, përcjell Reporteri.net.
Policia u thirr në Shkollën e Mesme Kingsbury rreth orës 12:40, pas raportimeve se një djalë 13-vjeçar ishte goditur me thikë.
Policia bëri të ditur më vonë se ishte njoftuar edhe për një viktimë të dytë, një djalë 12-vjeçar, i cili gjithashtu ishte goditur me thikë.
Të dy djemtë u dërguan në spital. Oficerët thanë se të dy djemtë janë në gjendje serioze.
Njësitë kundër terrorizmit po udhëheqin hetimin, por Policia Metropolitane (Met) tha se ngjarja nuk është shpallur si incident terrorist.
Zëvendës Shefi i Detektivëve, Luke Williams, tha se oficerë të armatosur dhe të zonës mbërritën në vendngjarje brenda 13 minutash nga telefonata në numrin e emergjencës 999.
Ai tha se i dyshuari, që besohet të jetë 13 vjeç, u largua nga vendi i ngjarjes pas sulmeve me thikë, por më vonë u arrestua.
Williams shtoi se arma që besohet të jetë përdorur në sulm është sekuestruar dhe i dyshuari vazhdon të mbahet në paraburgim për t’u marrë në pyetje.

















