Shqip kudo që je!

Shërbimi ushtarak në Kosovë – vullnetar apo i detyrueshëm?

Shërbimi ushtarak në Kosovë - vullnetar apo i detyrueshëm? - Shërbimi ushtarak Kosovë-vullnetarapoidetyrueshëm

Ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, ka deklaruar se Kosova nuk do të aplikojë shërbim të detyrueshëm ushtarak, por do të zhvillojë modelin e shërbimit vullnetar në kuadër të Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK).

Në “Përballje Podcast”, ai theksoi se koncepti i mbrojtjes gjithëpërfshirëse parasheh përfshirjen e qytetarëve në mënyrë vullnetare, duke rritur kapacitetet rezervë të vendit.

“Secili qytetar i Kosovës do të ketë mundësinë që të regjistrohet dhe të jetë vullnetar në Forcën e Sigurisë së Kosovës”, deklaroi Maqedonci shkruan kudoshqip.com.

Ai sqaroi se kjo nuk nënkupton rikthimin e shërbimit të detyrueshëm ushtarak në të ardhmen.

“Bëhet fjalë për shërbim vullnetar, jo të detyruar”, deklaroi ministri.

Sipas tij, ideja është që Kosova të ndërtojë një sistem rezervë që mund të aktivizohet në rast nevoje, duke u bazuar në praktika të vendeve të NATO-s.

“Koncepti i mbrojtjes gjithëpërfshirëse nënkupton që të kemi kapacitete shtesë përveç personelit aktiv, në mënyrë që në rast nevoje të kemi qytetarë të trajnuar që mund të angazhohen”, u shpreh ai.

Maqedonci shtoi se FSK-ja aktualisht ka kapacitete materiale që e mbështesin këtë koncept.

“Ne sot kemi katërfish më shumë pushkë individuale sesa personel aktiv”, tha ai, duke nënvizuar se kjo është pjesë e planifikimit për mbrojtjen gjithëpërfshirëse.

Ministri theksoi se përfshirja e qytetarëve do të jetë e rregulluar me ligj dhe do të shoqërohet me trajnim të duhur.

“Qëllimi nuk është militarizimi i shoqërisë, por rritja e gatishmërisë dhe ndërgjegjësimit për mbrojtjen e vendit”, deklaroi ai.

Sipas Maqedoncit, FSK mbetet një forcë profesionale dhe standardet e saj janë të harmonizuara me praktikat e NATO-s, ndërsa modeli i rezervave do të shërbejë si shtesë për forcimin e kapaciteteve mbrojtëse të Kosovës./kudoshqip.com/

Facebook
LinkedIn
x.com
Pinterest
WhatsApp

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Lajmet e Fundit

Në Fokus