Shqip kudo që je!

Macron thirrje evropianëve: Koha të veprojmë si fuqi botërore

Macron thirrje evropianëve: Koha të veprojmë si fuqi botërore - Macron thirrje evropianëve Kohatëveprojmësifuqibotërore

Presidenti francez Emmanuel Macron u ka bërë thirrje europianëve të imponohen në skenën ndërkombëtare, duke thënë se ka ardhur koha të veprojnë si një “fuqi“.

Përballë kërcënimeve në rritje nga Kina, Rusia dhe tani SHBA-të, ai u tha një grupi gazetarësh europianë se kontinenti po përballet me një “thirrje për t’u zgjuar“.

“A jemi gati të bëhemi një fuqi? Kjo është pyetja në fushën e ekonomisë dhe financave, në mbrojtje dhe siguri, si dhe në sistemet tona demokratike. Në një epokë tjetër mund të kishim thënë se është momenti të ‘marrim përsipër peshën tonë’,” tha ai para një samiti të BE-së në Bruksel këtë javë, citon BBC.

Macron përsëriti thirrjen për huatë e ndërsjella në nivel BE-je, për të mbledhur qindra miliarda euro të nevojshme për investime industriale.

“Ka ardhur koha të nisemi me një kapacitet të përbashkët borxhi për të financuar shpenzimet tona të ardhshme, eurobonde për të ardhmen. Na duhen programe të mëdha europiane për të financuar projektet më të mira,” tha ai.

Thirrje të ngjashme në të kaluarën janë pritur me skepticizëm nga Gjermania dhe vende të tjera, të cilat mendojnë se Franca kërkon ta përdorë Europën për të mbajtur një barrë financiare që vetë, për shkak të mungesës së reformave, nuk është në gjendje ta përballojë. Macron pranoi se Franca “kurrë nuk ka pasur një model të balancuar, ndryshe nga disa ekonomi të veriut, të ndërtuara më shumë mbi ndjenjën e përgjegjësisë. Dhe ne kurrë nuk kemi pasur reforma si ato të nisura në vitet 2010 në Portugali, Spanjë, Itali dhe Greqi, të cilat po japin fryte sot.”

Por presidenti francez tha se ka një kërkesë në rritje në tregjet financiare botërore për borxhin e përbashkësuar europian, të cilin aktualisht BE-ja nuk është e pajisur ta ofrojë.

“Tregjet botërore po tremben gjithnjë e më shumë nga dollari amerikan. Ata duan alternativa… Për investitorët kudo, një shtet demokratik i së drejtës është një tërheqje e madhe. Dhe kur shoh botën siç është, kemi regjimin autoritar që është Kina, dhe nga ana tjetër kemi SHBA-të që po largohen gjithnjë e më shumë nga shteti i së drejtës.”

Sipas Macron-it, BE-ja me 27 anëtarë ka nevojë për 1.2 trilionë euro në vit për të investuar në sektorët jetikë të sigurisë dhe mbrojtjes, energjisë së pastër dhe inteligjencës artificiale. Duke u bërë thirrje europianëve të “mbrojnë” këto dhe industri të tjera, ai tha: “Kinezët e bëjnë, amerikanët gjithashtu. Europa sot është tregu më i hapur në botë. Përballë kësaj, nuk them se duhet të jemi proteksionistë. Është më shumë një çështje koherence, pra të mos vendosim mbi prodhuesit tanë rregulla që nuk i vendosim mbi jo-europianët.”

“Europa sot përballet me një sfidë masive, në një botë të çrregullt,” tha ai. “Ndryshimet klimatike po përshpejtohen. SHBA-të që mendonim se do të garantonte sigurinë tonë përgjithmonë, nuk është më e sigurt. Rusia duhej të na jepte energji të lirë përgjithmonë, por kjo u ndal tre vite më parë. Kina… është bërë një rival gjithnjë e më i ashpër. Sot, ne europianët jemi vetëm. Por kemi njëri-tjetrin. Jemi 450 milionë njerëz. Është e madhe. Për mua (të bëhemi fuqi) është përmbushja e aventurës europiane. Ne u bashkuam për të ndalur luftën, u bashkuam për të ndërtuar një treg. Por gjithmonë ia ndaluam vetes të mendonim për fuqinë.”

I pyetur për përplasjen e fundit me Uashingtonin mbi Groenlandën, në fund të së cilës presidenti amerikan Donald Trump duket se u tërhoq nga kërcënimet për të aneksuar territorin danez, Macron tha se europianët nuk duhet të mashtrohen.

“Në fund të një krize, ka një prirje të frikshme për t’u ulur dhe për të thënë ‘uf’. Ka kërcënime dhe frikësime, dhe pastaj papritur Uashingtoni tërhiqet. Dhe njerëzit mendojnë se ka mbaruar. Mos e besoni për asnjë sekondë,” tha lideri francez.

Facebook
LinkedIn
x.com
Pinterest
WhatsApp

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Lajmet e Fundit

Në Fokus