Xhudistja kosovare Laura Fazliu ka arritur një tjetër sukses të rëndësishëm në arenën ndërkombëtare, duke siguruar finalen e turneut Judo Grand Prix Linz që po zhvillohet në Linz.
Duke garuar në kategorinë deri në 63 kilogramë, Fazliu ka treguar formë shumë të mirë gjatë gjithë garës, duke kaluar me sukses disa përballje të forta deri në fazën finale. Në raundin e parë ajo mposhti sllovenen Leila Mazouzi, ndërsa në çerekfinale triumfoi ndaj kroates Nina Cvjetko, duke siguruar një vend në gjysmëfinale.

Në gjysmëfinale, xhudistja kosovare dominoi përballjen ndaj gjermanes Sara-Joy Bauer, të cilën e mundi me ippon, duke siguruar kështu finalen e madhe të turneut.
Në duel për medaljen e artë, Fazliu do të përballet me kampionen braziliane Rafaela Silva, e cila në gjysmëfinale mposhti spanjollen Laura Vazquez Fernandez.

Kualifikimi në finale është një tjetër dëshmi e nivelit të lartë që ka arritur xhudoja kosovare në skenën ndërkombëtare, ndërsa tani synimi i Fazliut është ta kurorëzojë paraqitjen e saj të shkëlqyer me medaljen e artë në këtë turne prestigjioz.

















