Shoqata Lapsh organizoi një takim të rëndësishëm me mbështetës potencialë financiarë dhe përfaqësues të komunitetit, me synim forcimin e bashkëpunimit dhe zgjerimin e aktiviteteve në Landin Hessen.
Në këtë takim morën pjesë përfaqësues të lartë institucionalë dhe të komunitetit, përfshirë Konsullin e Republikës së Kosovës në Frankfurt am Main, vëllezërit Paçarada si mbështetës kryesorë financiarë, si dhe veprimtarë nga fusha e biznesit dhe qytetarë gjermanë. Gjatë fjalimeve të tyre, të pranishmit vlerësuan angazhimin dhe sukseset e deritanishme të shoqatës Lapsh në ruajtjen dhe promovimin e gjuhës dhe kulturës shqiptare.
Të ftuarit u informuan mbi aktivitetet e fundit dhe planet zhvillimore të shoqatës nga kryetari z. Jeton Gashi dhe përfaqësuesi juridik z. Anton Daka, të cilët theksuan rëndësinë e përkrahjes së vazhdueshme nga komuniteti shqiptar në Hessen.

Aktualisht, Lapsh organizon mësimin plotësues të gjuhës shqipe në 13 lokacione në Hessen: Wiesbaden, Frankfurt am Main, Kassel, Darmstadt, Offenbach, Fulda, Hanau, Kelkheim, Heppenheim, Friedberg, Butzbach, Gründau-Röthenbergen dhe Sossenheim. Ndërkohë, në plan janë edhe zgjerime të reja në Giessen, Maintal, Seligenstadt dhe Bischofheim.
Procesi mësimor zhvillohet nga 16 mësimdhënës në 21 paralele, ku përfshihen rreth 400 nxënës. Këto shifra dëshmojnë se Lapsh tashmë ka arritur një nivel të konsoliduar organizativ dhe profesional, duke u shndërruar në një strukturë me karakter institucional dhe me njohje nga autoritetet shtetërore në Hessen.
Në aspektin gjeografik, shoqata ka arritur të mbulojë në mënyrë të konsiderueshme territorin e Hessenit, duke ofruar mundësi për nxënësit shqiptarë të mësojnë gjuhën amtare dhe të ruajnë identitetin kombëtar.
Ky sukses është rezultat i bashkëpunimit të ngushtë me Konsullatën e Republikës së Kosovës, Ministrinë e Arsimit të Hessenit, mbështetësit financiarë dhe vetë komunitetin shqiptar.
Në përfundim të takimit, pjesëmarrësit theksuan se Lapsh ka nevojë për mbështetje të vazhdueshme nga i gjithë komuniteti shqiptar, qoftë përmes angazhimit vullnetar apo kontributeve financiare, me qëllim të rritjes së cilësisë dhe zgjerimit të mësimit të gjuhës shqipe për të gjithë fëmijët shqiptarë në Hessen./kudoshqip.com/

















