Ambasadorja Nita Shala priti në ambientet e Ambasadës Federico Riboldi, Assessore alla Sanità i Regione Piemonte, me të cilin zhvilloi një takim të fokusuar në thellimin e bashkëpunimit në sektorin e shëndetësisë dhe arsimit mjekësor.
Gjatë bashkëbisedimit, palët diskutuan mundësitë konkrete për ndërtimin e partneriteteve ndërinstitucionale, duke përfshirë shkëmbimet akademike, programet e përbashkëta të trajnimit për profesionistët shëndetësorë, si dhe zhvillimin e iniciativave të përbashkëta në funksion të avancimit të sistemeve shëndetësore.
Rajoni i Piemonte konsiderohet një ndër më të zhvilluarit në Itali për nga organizimi dhe performanca e sistemit shëndetësor. Me një popullsi prej rreth 4.3 milion banorësh, ai disponon një rrjet të gjerë prej mbi 60 strukturash spitalore dhe qindra qendrash shëndetësore territoriale. Sistemi rajonal menaxhon mbi 17,000 shtretër spitalorë dhe punëson dhjetëra mijëra profesionistë, duke ofruar shërbime me standarde të larta dhe mbulim të gjerë për qytetarët.
Piemonte është gjithashtu një qendër e rëndësishme për kërkimin shkencor dhe inovacionin në fushën e mjekësisë. Institucione të njohura si Università degli Studi di Torino dhe Università del Piemonte Orientale ofrojnë programe të avancuara në mjekësi, bioteknologji dhe shkenca të shëndetit, duke bashkëpunuar ngushtë me strukturat spitalore për formimin praktik të studentëve dhe zhvillimin e kërkimit klinik.
Takimi u vlerësua si një hap i rëndësishëm drejt forcimit të bashkëpunimit ndërmjet institucioneve të Kosovës dhe rajonit të Piemonte-s, me synimin për të ndërtuar ura të qëndrueshme në funksion të zhvillimit profesional dhe përmirësimit të shërbimeve shëndetësore.

















