Kosova nuk arriti të realizojë ëndrrën e kualifikimit në FIFA World Cup 2026, pasi u mposht me rezultat minimal 1–0 nga Turqia në finalen e play-off-it.
“Dardanët” zhvilluan një pjesë të parë shumë të mirë, duke kontrolluar lojën dhe duke kufizuar hapësirat për kundërshtarin. Rasti i parë serioz erdhi në minutën e 21-të, kur pas një aksioni të ndërtuar bukur, pasimi i Veldin Hoxha në zonë u neutralizua nga mbrojtja turke.
Pak minuta më vonë, Kosova ishte shumë pranë golit. Në minutën e 28-të, Fisnik Asllani goditi shtyllën me një tentativë të fuqishme, ndërsa në vazhdim të aksionit Vedat Muriqi nuk arriti ta dërgojë topin në rrjetë.
Në pjesën e dytë, Turqia shfrytëzoi një nga rastet e pakta që krijoi. Në minutën e 53-të, Kerem Aktürkoğlu realizoi golin e vetëm të takimit, duke i dhënë epërsinë skuadrës së tij.
Kosova tentoi të reagojë dhe krijoi edhe një mundësi të mirë përsëri me Asllanin, por portieri i Turqisë u tregua i pakalueshëm në momentet vendimtare.
Pavarësisht humbjes, paraqitja e Kosovës dëshmoi rritjen dhe potencialin e ekipit, i cili ishte shumë pranë një arritjeje historike në skenën ndërkombëtare.

















