Shqip kudo që je!

Kosova feston 18-vjetorin e Pavarësisë me koncert madhështor në Gjenevë

Me rastin e 18-vjetorit të Pavarësisë së Kosovës, Konsullata e Përgjithshme e Republikës së Kosovës në Gjenevë organizoi një pritje solemne dhe artistike, me pjesëmarrjen e mbi një mijë të ftuarve.

Pritja u mbajt në sallën prestigjioze Victoria Hall në Gjenevë, ku performuan artisti me famë botërore Rama Lahaj, mysafirja e tij speciale Marigona Qerkezi dhe pianisti Kamal Khan.

Përveç një pjesëmarrjeje të gjerë të mërgatës sonë nga e gjithë Zvicra dhe më gjerë, në këtë ngjarje morën pjesë znj. Megi Fino, Zëvendësministre për Evropën dhe Punët e Jashtme e Republikës së Shqipërisë, ambasadorë të shteteve anëtare pranë OKB-së, konsuj të përgjithshëm, përfaqësues të organizatave ndërkombëtare me seli në Gjenevë, përfaqësues të institucioneve kantonale dhe komunale në Zvicër, si dhe përfaqësues të shoqatave, bizneseve, mediave, akademisë e artit, përkrah shumë miqve të Kosovës.

Në fjalën përshëndetëse, Udhëheqësja e Konsullatës, znj. Floreta Kabashi, në cilësinë e nikoqires së mbrëmjes, theksoi rëndësinë e këtij përvjetori, sakrificat e gjeneratave për liri dhe shtetndërtim, si dhe arritjet e Kosovës në forcimin e institucioneve demokratike dhe konsolidimin ndërkombëtar. Ajo nënvizoi se Kosova sot përfaqëson një demokraci funksionale, të përkushtuar ndaj sundimit të ligjit, mbrojtjes së të drejtave të njeriut dhe garantimit të lirive themelore për të gjithë qytetarët e saj, duke vlerësuar marrëdhëniet e shkëlqyera ndërmjet Kosovës dhe Zvicrës si dhe kontributin e çmuar të diasporës.

Me një fjalë rasti u drejtua edhe Ambasadori i Republikës së Kosovës në Zvicër, Mentor Latifi. Nga autoritetet zvicerane përshëndetën znj. Ana Roch, Presidente e Parlamentit të Republikës dhe Kantonit të Gjenevës, z. Frédéric Borloz, Ministër i Kantonit të Vaud, si dhe znj. Marjorie de Chastonay në emër të Komunës së Gjenevës. Të gjithë rikonfirmuan marrëdhëniet e mira dhe bashkëpunimin e qëndrueshëm ndërmjet dy vendeve.

Mbrëmja u kurorëzua me një koncert të jashtëzakonshëm, ku Rama Lahaj dhe Marigona Qerkezi sollën magjinë e muzikës klasike në skenën e Victoria Hall, me një repertor të larmishëm që ndërthurte vepra nga tradita muzikore shqiptare dhe ajo klasike ndërkombëtare.

Konsullata e Përgjithshme e Republikës së Kosovës në Gjenevë shpreh falënderimet e saj të sinqerta për pjesëmarrjen e të gjithë të pranishmëve, duke e bërë këtë 18-vjetor të shpalljes së Pavarësisë një moment të veçantë dhe të paharrueshëm./kudoshqip.com/

Foto: R.C. Anaider

Facebook
LinkedIn
x.com
Pinterest
WhatsApp

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Lajmet e Fundit

Në Fokus