Izraeli dhe Shtetet e Bashkuara nisën sulme kundër Iranit të shtunën në mëngjes, sipas ministrit Izraelit të Mbrojtjes, Israel Katz, dhe dy zyrtarëve amerikanë, raporton CNN, shkruan Reporteri.net.
Ministri izraelit i mbrojtjes, Israel Katz, tha se Izraeli ka sulmuar Iranin me qëllim, siç pretendojnë ata, për të eliminuar kërcënimet ndaj shtetit.
Në mbarë Izraelin po bien sirenat e alarmit për rrezik ajror, ndërsa pritet një kundërsulm i menjëhershëm.
Siç është njoftuar nga Ministria e Mbrojtjes, veprimi ushtarak është ndërmarrë për të neutralizuar kërcënimet e menjëhershme që i kanosen Izraelit.
Për shkak të përshkallëzimit të shpejtë të situatës, Katz ka shpallur urgjentisht gjendje të veçantë të jashtëzakonshme në nivel të gjithë shtetit.
Autoritetet u kanë bërë thirrje qytetarëve që të ndjekin me përpikëri udhëzimet e Komandës së Frontit të Brendshëm (Home Front Command) dhe të qëndrojnë në zona të sigurta dhe të mbrojtura, përkatësisht në strehimore, deri në njoftimin e radhës.
Shërbimet izraelite të inteligjencës dhe ato ushtarake vlerësojnë se në një afat shumë të shkurtër pritet një kundërsulm masiv ndaj Izraelit, i cili mund të përfshijë tufa dronësh dhe raketa balistike.
Nëpër qytetet izraelite tashmë dëgjohen sirenat që paralajmërojnë rrezik nga ajri.
Ushtria izraelite pas sulmeve ndaj Teheranit: Presim një kundërsulm nga Irani
Ushtria izraelite (IDF) ka dalë me një njoftim pasi kreu sulme në Iran dhe u bëri thirrje qytetarëve që të përgatiten për sulme të mundshme hakmarrëse nga Teherani.
Në një njoftim për media, IDF bëri të ditur se sirenat janë aktivizuar në mbarë Izraelin.
“Në minutat e fundit, sirenat janë dëgjuar në të gjithë Izraelin, me paralajmërime të dërguara paraprakisht drejtpërdrejt në pajisjet mobile për të qëndruar pranë hapësirave të mbrojtura. Ky është një paralajmërim proaktiv për të përgatitur publikun për mundësinë e lëshimit të raketave drejt Shtetit të Izraelit. IDF thekson se publikut i kërkohet të qëndrojë pranë hapësirave të mbrojtura”, thuhet në njoftim.
Gjithashtu, do të ketë ndryshime urgjente në udhëzimet e të ashtuquajturës Komanda e Frontit të Brendshëm, ndërsa është bërë e ditur se hapësira ajrore është mbyllur.
“Si pjesë e ndryshimeve, është vendosur që të gjitha zonat e vendit të kalojnë nga gjendja e aktivitetit të plotë në gjendje aktiviteti të domosdoshëm. Udhëzimet përfshijnë: ndalimin e aktiviteteve arsimore, tubimeve dhe vendeve të punës, përveç sektorëve esencialë. Publiku është i detyruar të ndjekë udhëzimet e publikuara në kanalet zyrtare të Komandës së Frontit të Brendshëm. Udhëzimet e plota do të përditësohen në Portalin Kombëtar për Emergjenca dhe në aplikacionin e Komandës së Frontit të Brendshëm”, thuhet në njoftim.
Nuk dihet ende nëse Irani do të kundërpërgjigjet menjëherë, por ai ka paralajmëruar se personeli ushtarak amerikan dhe bazat e tij të shpërndara në të gjithë rajonin do të ishin shënjestra të çdo hakmarrjeje./kudoshqip.com/

















