Një vendim i ri i Ministria Federale e Brendshme e Gjermanisë për të kufizuar aksesin në kurset e integrimit për refugjatët dhe migrantët ka nxitur reagime dhe debate të shumta. Kufizimet lidhen kryesisht me shtrëngimin e buxhetit dhe synimin për të reduktuar shpenzimet.
Sipas rregullave të reja, shumë kategori migrantësh – përfshirë refugjatët nga Ukraina, azilkërkuesit, personat me leje qëndrimi të përkohshëm (“Duldung”) dhe disa migrantë nga Bashkimi Evropian – nuk do të kenë më automatikisht të drejtë të ndjekin kurset e integrimit. Nëse dëshirojnë të marrin pjesë, ata do të duhet të paguajnë vetë rreth 1.600 euro për kursin.
Vetëm në rastet kur pjesëmarrja kërkohet nga qendrat e punësimit, zyrat e migracionit ose shërbimet sociale, kostot do të mbulohen nga Zyra Federale për Migracionin dhe Refugjatët (BAMF).
Gazetarja turke Muge Tuzcu Karakoç, e cila jeton në Gjermani prej shtatë vitesh, thotë se kursi i integrimit ishte vendimtar për përshtatjen e saj në shoqërinë gjermane. Sipas saj, këto programe nuk shërbejnë vetëm për të mësuar gjuhën, por edhe për të kuptuar jetën dhe sistemin e vendit.

Edhe mësuesja e kurseve të integrimit Petra Martin e konsideron vendimin problematik. Ajo thekson se pa njohjen e gjuhës gjermane migrantët kanë shumë pak mundësi për t’u integruar në tregun e punës dhe në jetën shoqërore.
Kurset e integrimit në Gjermani zakonisht përfshijnë rreth 700 orë mësim, ku përveç gjuhës trajtohen edhe tema si sistemi ligjor, historia, kultura dhe organizimi shoqëror i vendit. Gjatë dy dekadave të fundit, afro katër milionë persona kanë marrë pjesë në këto programe.
Megjithatë, ministria e udhëhequr nga politikani i CSU, Alexander Dobrindt, argumenton se në kushtet e burimeve të kufizuara financiare prioritet duhet t’u jepet personave që kanë perspektivë reale për të qëndruar përgjithmonë në Gjermani.
Nga ana tjetër, komisionerja për Migracionin, Refugjatët dhe Integrimin nga SPD, Natalie Pawlik, paralajmëron se kufizimi i këtyre kurseve mund të ketë pasoja negative afatgjata. Sipas saj, pa njohjen e gjuhës gjermane – sidomos nivelin B1 – integrimi në tregun e punës bëhet shumë i vështirë.
Ajo thekson se pengesat për integrim mund të bëjnë që shumë migrantë të mbeten më gjatë të varur nga ndihmat sociale, gjë që në fund mund t’i kushtojë më shumë ekonomisë gjermane.

















