Në numrin më të fundit të revistës prestigjioze Whoman Canada, kopertina kryesore i është dedikuar Florida Doçit – një grua shqiptare që po lë gjurmë të rëndësishme në fushën e inteligjencës artificiale, jo vetëm në Kanada, por edhe në nivel global.
Me një përkushtim të thellë ndaj zhvillimit etik dhe të përgjegjshëm të teknologjisë, Florida Doçi dëshmon se inovacioni nuk është thjesht çështje kodi dhe të dhënash, por mbi të gjitha reflektim i empatisë, humanizmit dhe vlerave njerëzore. Ajo thekson se inteligjenca e vërtetë ndërtohet mbi dhembshuri, integritet dhe guximin për të menduar përtej kufijve tradicionalë.
Kjo filozofi e ka pozicionuar atë si një nga zërat më të dalluar në fushën e inteligjencës artificiale në kompaninë Microsoft, ku punon si kërkuese shkencore. Atje, ajo është e angazhuar në zhvillimin dhe implementimin e AI-së në mënyrë etike, të përgjegjshme dhe bashkëpunuese, duke kontribuar në krijimin e teknologjive që i shërbejnë shoqërisë.
Florida Doçi përfaqëson brezin e ri të mendjeve krijuese që po ndërthurin teknologjinë me vlerat njerëzore, duke ndikuar drejtpërdrejt në mënyrën se si kompanitë e mëdha ndërtojnë produkte me ndikim shoqëror.
Edhe rrugëtimi i saj akademik është mbresëlënës. Ajo ka përfunduar studimet universitare në Universitetin e Windsor-it, ku ka fituar dy diploma në Shkenca Politike dhe Shkenca Biologjike & Bioteknologji. Më pas, ka përfunduar studimet master në Shkenca Ndërdisiplinare të Shëndetit në Universitetin e Ottawa-s, ku aktualisht është në fazën përfundimtare të doktoraturës në Shëndetin e Popullatës.

















