Dialogu me Serbinë do të jetë nën udhëheqjen e Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Diasporës, ka njoftuar ministri i këtij dikasteri, Glauk Konjufca, gjatë një takimi me përfaqësuesin Special të Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Peter Sorensen.
Njoftohet se në takim u diskutua momentumi aktual në të cilin ndodhet dialogu, si dhe u shkëmbyen pikëpamje mbi qasjen dhe parimet e nevojshme për të siguruar një proces më efektiv dhe të qëndrueshëm.
Sipas njoftimit, Konjufca ka theksuar se Kosova mbetet e përkushtuar që dialogun ta shohë si një mundësi për përmirësimin e marrëdhënieve fqinjësore me Serbinë, si dy shtete sovrane në rrugën e tyre drejt integrimit evropian.

















