Të paktën pesë persona kanë mbetur të plagosur pasi një automjet u fut në një grup njerëzish në Neustadt am Rübenberge, pranë Hanoverit, në Gjermani. Policia ka arrestuar tre të dyshuar, ndërsa motivi i ngjarjes mbetet ende i paqartë.
Ngjarja ndodhi të hënën, rreth orës 23:30, në rrugën Mecklenhorster Straße. Sipas policisë, një automjet tip BMW, me ngjyrë blu, u përplas me një grup personash pranë një pike kontrolli policor.
Për të ndaluar automjetin, policia hapi zjarr ndaj tij. Megjithatë, personat që ndodheshin brenda makinës e braktisën atë dhe u larguan në këmbë.
Pas hetimeve fillestare, tre persona të dyshuar u arrestuan në adresën e pronarit të automjetit. Autoritetet po hetojnë për të përcaktuar nëse ata kanë qenë drejtpërdrejt të përfshirë në ngjarje.
Të plagosurit kanë pësuar lëndime të shkallëve të ndryshme, nga të lehta deri te të rënda. Sipas informacioneve të policisë, asnjëri prej tyre nuk ndodhet në rrezik për jetën. Të gjithë janë dërguar në spital për trajtim mjekësor.
Policia përjashton pistën e terrorizmit, ndërsa hetimet vijojnë për të zbardhur rrethanat e ngjarjes dhe për të përcaktuar motivin e mundshëm të sulmit./kudoshqip.com