Kryetarja e Kuvendit të Republikës së Kosovës ka zhvilluar një takim në Shkup me kryeministrin e Maqedonisë së Veriut, Hristijan Mickoski, ku në fokus të diskutimeve ishte thellimi i bashkëpunimit bilateral dhe avancimi i projekteve të përbashkëta infrastrukturore dhe energjetike ndërmjet dy vendeve.

Gjatë takimit, rëndësi e veçantë iu kushtua projekteve strategjike, përfshirë lidhjen rrugore Prizren–Tetovë dhe autostradën Shkup–Bllacë, si dhe ndërlidhjes energjetike ndërmjet Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut.
Në këtë kontekst, u theksua nevoja për përshpejtimin e realizimit të projekteve, në mënyrë që zotimet e deritanishme të konkretizohen dhe të sjellin rezultate të prekshme për qytetarët e të dy vendeve.
Projektet e diskutuara vlerësohen si të rëndësishme për zhvillimin ekonomik, lehtësimin e qarkullimit të njerëzve dhe mallrave, si dhe forcimin e lidhjeve ekonomike e ndërinstitucionale ndërmjet dy shteteve fqinje.

Kryetarja e Kuvendit bëri të ditur se Kuvendi i Kosovës do të mbështesë këto iniciativa dhe do të përcjellë nga afër ecurinë e tyre, me synimin që projektet e dakorduara të avancojnë drejt realizimit.
Takimi në Shkup riafirmon rëndësinë e bashkëpunimit ndërmjet Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut në funksion të interesave të përbashkëta dhe zhvillimit të marrëdhënieve të fqinjësisë së mirë./kudoshqip.com