Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, ka pritur përfaqësuesit shqiptarë nga Presheva, Medvegja, Bujanoci dhe Pazari i Ri, pas zgjedhjeve në Serbi, në të cilat partitë shqiptare, të bashkuara në listën “Koalicioni Shqiptar”, fituan dy mandate në Kuvend.
Gjatë takimit, kryeministri Kurti i përgëzoi përfaqësuesit shqiptarë për rezultatin e arritur, duke e cilësuar atë si një arritje historike, si për shkak të numrit të mandateve, ashtu edhe për rëndësinë e bashkëpunimit ndërmjet subjekteve politike shqiptare.

“Fitorja juaj është dyfish historike, sepse keni realizuar një rekord të ri, krahasuar me vitin 2020, por edhe për shkak se jeni pjesë e një ndryshimi të madh”, u shpreh Kurti.
Ai theksoi se, nga 18 listat që garuan në zgjedhjet parlamentare në Serbi, vetëm gjashtë arritën të sigurojnë mandate. Sipas tij, shqiptarët u renditën të dytët për nga numri i votave dhe të parët për nga mandatet, së bashku me hungarezët, në mesin e listave të pakicave kombëtare.
Kryeministri Kurti falënderoi drejtuesit politikë që kontribuuan në bashkimin e subjekteve shqiptare, kandidatët që morën përgjegjësi dhe aktivistët që u angazhuan gjatë procesit zgjedhor.
Ai gjithashtu theksoi rëndësinë e vazhdimit të bashkëpunimit edhe pas zgjedhjeve, duke nënvizuar se bashkimi politik duhet të shërbejë si bazë për mbrojtjen e të drejtave të shqiptarëve, kërkesën për barazi dhe krijimin e kushteve për një jetë dinjitoze në vendlindje.

“Ky bashkim nuk duhet të përfundojë me datën 25 tetor, por duhet ta kuptojmë që me 25 tetor, ky bashkim, që është cilësi e re, e ka një kapitull të ri tash, kapitull, i cili duhet të vazhdojë me mbrojtje të fuqishme të drejtave, me kërkesën për barazi dhe në përpjekjen për jetë dinjitoze në vendlindje”, deklaroi Kurti.
Në përfundim, kryeministri theksoi se dy mandatet e fituara përfaqësojnë jo vetëm një rezultat të përbashkët të subjekteve politike shqiptare, por edhe një përgjegjësi për të vazhduar angazhimin në përfaqësimin dhe mbrojtjen e të drejtave të shqiptarëve në Serbi./kudoshqip.com