Sekretari amerikan i Shëndetësisë dhe Shërbimeve Njerëzore, Robert F. Kennedy Jr., ka bërë deklarata të gjera për arabët dhe myslimanët gjatë një tubimi elektoral të republikanëve në Grand Rapids, Michigan, të hënën. Gjatë fjalimit, ai pretendoi se “500 milionë arabë” në botë nuk prodhojnë shkencë dhe nuk fitojnë çmime të rëndësishme ndërkombëtare.
Kennedy po fliste për Vëllazërinë Myslimane, pasi përmendi kandidatin republikan për Senatin, Mike Rogers, i cili e ka ngritur këtë çështje gjatë fushatës kundër kandidatit demokrat Abdul El-Sayed. Ky i fundit i ka mohuar vazhdimisht pretendimet për lidhje me organizatën dhe është distancuar publikisht prej saj.
“Mike Rogers po fliste për Vëllazërinë Myslimane. Kjo është diçka për të cilën mund të flas”, deklaroi Kennedy, duke shtuar se diskutimi për organizatën nuk përbën islamofobi, transmeton Telegrafi.
Më pas, ai i përshkroi njerëzit që jetojnë nën ndikimin e organizatës si pjesë të një “kulti të vdekjes”, duke e lidhur ideologjinë e saj me atë që e quajti “viktimizim, vrasje dhe gjenocid”.
Gjatë fjalimit, Kennedy deklaroi: “Në botë ka 500 milionë arabë. E megjithatë, ata nuk prodhojnë shkencë. Nuk fitojnë çmimin Nobel, çmimin Fields apo çmimin Wolf. Nuk prodhojnë letërsi”.
Pretendimi i tij për çmimet Nobel bie ndesh me të dhënat zyrtare të organizatës që i jep këto çmime. Shkencëtari egjiptian Ahmed Zewail fitoi çmimin Nobel në Kimi në vitin 1999, ndërsa shkrimtari egjiptian Naguib Mahfouz mori çmimin Nobel në Letërsi në vitin 1988. Gjithashtu, gazetarja dhe aktivistja jemenase Tawakkol Karman ndau çmimin Nobel për Paqen në vitin 2011.
Kennedy ka folur edhe më herët për Vëllazërinë Myslimane. Sipas gazetës The Jerusalem Post, në fillim të tetorit ai fshiu një publikim në rrjetet sociale, në të cilin e akuzonte organizatën për zhvillimin e një fushate globale propagandistike të financuar nga Katari.
Çështja u ngrit edhe gjatë debatit mes kandidatëve më 21 tetor, kur Rogers përmendi lidhjet e pretenduara të El-Sayed me organizatën. Kandidati demokrat u përgjigj se vënia në dyshim e përkushtimit të tij ndaj Kushtetutës amerikane ishte “e turpshme”./kudoshqip.com