Pjesëtarë të Forcës së Sigurisë së Kosovës morën pjesë në një trajnim ndërkombëtar në Kroaci, i cili u përmbyll me një marshim taktik prej 88 kilometrash, duke testuar qëndrueshmërinë fizike dhe mendore, disiplinën dhe aftësitë udhëheqëse të pjesëmarrësve.
Një ekip i Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK) mori pjesë për herë të parë në trajnimin për zhvillimin e liderëve të rinj ushtarakë, të organizuar në Qendrën “Marko Babić” të Ushtrisë Kroate.
Trajnimi u zhvillua në kuadër të bashkëpunimit bilateral ndërmjet Kosovës dhe Kroacisë, me synim avancimin profesional të pjesëtarëve ushtarakë dhe forcimin e bashkëpunimit ndërkombëtar.

Marshimi 88-kilometërsh, sfida për pjesëmarrësit
Aktiviteti u përmbyll me një marshim taktik prej 88 kilometrash, nga Udbina deri te Kalaja e Kninit. Kjo sfidë vuri në provë qëndrueshmërinë fizike dhe mendore të pjesëmarrësve, si dhe aftësitë e tyre në udhëheqje, disiplinë dhe vendimmarrje në kushte të vështira.
Në trajnim morën pjesë ushtarakë nga Kroacia, Kosova, Sllovenia, Shqipëria, Maqedonia e Veriut dhe Mali i Zi.
Përveç aspektit profesional, marshimi kishte edhe rëndësi simbolike, duke nderuar historinë dhe sakrificën e popullit kroat gjatë Luftës Atdhetare.
Forcimi i profesionalizmit dhe bashkëpunimit ndërkombëtar
Pjesëmarrja e FSK-së në këtë aktivitet përbën një mundësi të rëndësishme për shkëmbimin e përvojave, zhvillimin e aftësive udhëheqëse dhe ngritjen e kapaciteteve profesionale të pjesëtarëve të saj.

Forca e Sigurisë së Kosovës synon të vazhdojë investimin në zhvillimin e lidershipit ushtarak dhe zgjerimin e bashkëpunimit me partnerët ndërkombëtarë, në funksion të përmbushjes së misionit të saj dhe rritjes së profesionalizmit.
Pjesëmarrja në këtë trajnim shënon një tjetër hap në bashkëpunimin ushtarak ndërmjet Kosovës dhe Kroacisë./kudoshqip