Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, zhvilloi takimin e parë në Shën Stefan të Malit të Zi, në margjinat e Samitit të Procesit të Berlinit, me Komisioneren Evropiane për Zgjerim, Marta Kos.
Gjatë takimit, Kurti theksoi se institucionet plotësisht funksionale të Kosovës do të mundësojnë përshpejtimin e reformave dhe avancimin e agjendës evropiane të vendit.
Ai bëri të ditur se javën e kaluar është miratuar ligji i fundit i nevojshëm për integrimin në Zonën e Vetme të Pagesave në Euro (SEPA), një hap që pritet t’u kursejë qytetarëve, bizneseve dhe diasporës rreth 58 milionë euro në vit. Po ashtu, së shpejti pritet të fillojnë negociatat për zbatimin e skemës “Roam Like at Home”, me synim përfshirjen e Kosovës në zonën ku qytetarët mund t’i përdorin shërbimet e telefonisë mobile pa tarifa shtesë të roamingut.
Kryeministri Kurti nënvizoi se përparimi demokratik i Kosovës, përkushtimi ndaj vlerave të përbashkëta evropiane dhe përafrimi me Politikën e Përbashkët të Jashtme dhe të Sigurisë të Bashkimit Evropian duhet të përkthehen në hapa konkretë drejt integrimit evropian.

Në këtë kontekst, ai theksoi rëndësinë e mbështetjes proaktive të Komisionit Evropian për avancimin e Kosovës drejt statusit të vendit kandidat dhe hapjen e negociatave për anëtarësim në Bashkimin Evropian.
Duke folur për Procesin e Berlinit, Kurti rikujtoi se Kosova i ka ratifikuar të gjitha marrëveshjet e arritura në kuadër të këtij procesi, përfshirë marrëveshjen për njohjen reciproke të diplomave. Ai theksoi se zbatimi i marrëveshjeve duhet të jetë i plotë nga të gjitha palët, përfshirë Serbinë./kudoshqip