Oslo– Ambasada e Republikës së Kosovës në Oslo po vazhdon të mbështesë nismat arsimore dhe kulturore që synojnë ruajtjen e gjuhës shqipe, edukimin e brezave të rinj dhe promovimin e trashëgimisë kulturore shqiptare në diasporë.
Në kuadër të këtij angazhimi, Ambasada ka mbështetur Shkollën Shqipe “Dardania” në Drammen në realizimin e aktiviteteve arsimore dhe kulturore, ndër to edhe projektet e dedikuara për fëmijët dhe të rinjtë, si dhe hapjen e bibliotekës së shkollës. Me këtë rast, Ambasada ka dhuruar 23 libra për nivele të ndryshme të mësimit dhe një laptop, me synimin për të përmirësuar kushtet e të nxënit dhe për të pasuruar procesin mësimor.

Një vëmendje e veçantë i është kushtuar edhe grupit të vallëzimit të shkollës, i cili, përmes interpretimit të valleve tradicionale shqiptare, luan një rol të rëndësishëm në ruajtjen dhe përcjelljen e trashëgimisë kulturore te fëmijët dhe të rinjtë shqiptarë në Norvegji.
Këto iniciativa dëshmojnë rëndësinë e bashkëpunimit ndërmjet institucioneve, mësimdhënësve, prindërve dhe komunitetit shqiptar në diasporë. Përmes tyre, krijohen mundësi konkrete që brezat e rinj të mësojnë gjuhën shqipe, të njohin traditat kombëtare dhe të ruajnë lidhjet me identitetin e tyre kulturor.

Ambasada e Republikës së Kosovës në Oslo ka shprehur mirënjohjen për kontributin dhe mbështetjen e vazhdueshme të z. Hisen Meziu nga @BalkanbodenAB dhe z. Albert Ademi nga @AdriaticCafe+, si dhe për përkushtimin e mësimdhënësve të Shkollës Shqipe “Dardania”, Vjollca Zeqiri Aslani dhe Arben Ramadani. Mirënjohje u është shprehur gjithashtu anëtarëve të grupit të vallëzimit, prindërve dhe të gjithë kontribuuesve që angazhohen për edukimin e fëmijëve dhe ruajtjen e gjuhës e kulturës shqiptare.

Mbështetja e arsimit shqip dhe e aktiviteteve kulturore në diasporë mbetet një ndër prioritetet e angazhimit të Ambasadës, me synimin për të forcuar lidhjet ndërmjet Republikës së Kosovës dhe bashkatdhetarëve që jetojnë e veprojnë në Norvegji./kudoshqip.com