Një 60-vjeçar është arrestuar pas një operacioni të gjerë policor. Motivi i vrasjeve mbetet ende i paqartë.
Dy punonjës të administratës lokale janë qëlluar për vdekje gjatë një kontrolli rutinor në Berngau, në landin e Bavarisë, në Gjermaninë jugore.
Policia ka arrestuar në orët e para të mëngjesit të sotëm të dyshuarin, një shtetas gjerman 60-vjeçar. Sipas autoriteteve, ai ishte mbyllur brenda shtëpisë së tij për disa orë, përpara se forcat e rendit të arrinin ta arrestonin.
Për kapjen e tij u zhvillua një operacion i gjerë policor, ku morën pjesë njësi speciale. Në operacion u angazhuan gjithashtu një automjet i blinduar dhe një helikopter policor.
Sipas njoftimit të policisë, i dyshuari ka pranuar se ka qëlluar me armë zjarri. Megjithatë, motivi që qëndron pas ngjarjes së rëndë ende nuk është bërë i ditur.
Autoritetet konfirmuan gjithashtu se në banesën e 60-vjeçarit janë gjetur dhjetë armë zjarri të regjistruara ligjërisht.
Hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave të vrasjeve po vazhdojnë./kudoshqip