Ish-presidenti i Shërbimit Federal të Inteligjencës së Gjermanisë (BND), August Hanning, është arrestuar nën dyshimet për vepra të rënda që lidhen me spiunazhin dhe përdorimin e paligjshëm të informacioneve të klasifikuara.
Sipas akuzave të ngritura nga Prokuroria e Përgjithshme Federale, Hanning dyshohet se për vite me radhë ka siguruar dokumente konfidenciale nga ish-agjencia që ai drejtonte. Në hetim është përfshirë edhe ish-shefi i stafit të tij, i cili dyshohet se vazhdoi t’i siguronte dokumente të klasifikuara edhe pas largimit të Hanning nga drejtimi i BND-së. Edhe ai është arrestuar.
Sipas raportimeve të Süddeutsche Zeitung, dokumentet e dyshuara se janë marrë në mënyrë të paligjshme përfshijnë raporte të inteligjencës të përgatitura për përdorim brenda Kancelarisë Federale të Gjermanisë.
Hetuesit dyshojnë se Hanning i ka siguruar këto materiale për qëllime komerciale, në kuadër të veprimtarisë së tij si konsulent pas largimit nga shërbimi sekret.
Ndërkohë, autoritetet gjermane po hetojnë edhe një pistë tjetër: nëse informacionet e klasifikuara mund t’u jenë përcjellë personave apo shërbimeve të huaja.
Rasti është bërë publik pas një hulumtimi të përbashkët të Süddeutsche Zeitung, WDR dhe NDR.
Të gjithë personat e arrestuar konsiderohen të pafajshëm deri në një vendim përfundimtar të gjykatës./kudoshqip.com