Kosova ka afat deri më 6 tetor për ta zgjedhur presidentin e ri. Nëse Kuvendi dështon ta bëjë këtë, çka pason është e qartë: Kuvendi shpërndahet dhe shpallen zgjedhjet e jashtëzakonshme. Por, shumë më pak e qartë është se kush do t’i ushtronte kompetencat e presidentit pas kësaj?
Gjykata Kushtetuese, në aktgjykimin e fundit për rastet KO256/26 dhe KO258/26, ka konstatuar se afati 60-ditor për zgjedhjen e presidentit ka filluar më 8 gusht dhe përfundon më 6 tetor.
Kjo lidhet drejtpërdrejt me nenin 82 të Kushtetutës, sipas të cilit Kuvendi shpërndahet nëse presidenti nuk zgjidhet brenda 60 ditësh nga fillimi i procedurës së zgjedhjes.
Pra, nëse presidenti nuk zgjidhet deri më 6 tetor, nuk nevojitet një vendim i veçantë i Kuvendit për shpërndarjen e tij – thjesht aktivizohet dispozita kushtetuese për shpërndarjen e Kuvendit.
Gjykata e kishte sqaruar këtë parim edhe më herët. Në aktgjykimin e marsit 2026, ajo kishte konstatuar se dështimi për ta zgjedhur presidentin brenda afatit kushtetues çon në shpërndarjen e Kuvendit dhe në zgjedhje të parakohshme, të cilat duhet të mbahen brenda 45 ditësh.
Por, këtu lind një problem tjetër kushtetues: kush mbetet në krye të shtetit?
Në rrethana të zakonshme, kompetencat e presidentit do t’i ushtronte kryetari i Kuvendit, si ushtrues detyre i presidentit.
Por, në situatën aktuale, kjo zgjidhje kushtetuese është komplikuar nga fakti se kryetarja e Kuvendit, Albulena Haxhiu, tashmë e ka ushtruar këtë detyrë për gjashtë muaj.
Haxhiu mori detyrën e presidentes pas përfundimit të mandatit të Vjosa Osmanit më 4 prill. Por, sipas nenit 90, paragrafit 3 të Kushtetutës, posti i ushtruesit të detyrës së presidentit “nuk mund të ushtrohet për një periudhë më të gjatë se gjashtë muaj”.
Kjo periudhë gjashtëmujore përfundoi të dielën, më 4 tetor.
Paqartësitë kushtetuese
Pikërisht këtu shfaqet një paqartësi që Kushtetuta nuk e adreson shprehimisht: kush i ushtron kompetencat presidenciale pasi përfundon periudha maksimale gjashtëmujore e ushtruesit të detyrës, ndërsa presidenti i ri ende nuk është zgjedhur?
Sipas interpretimeve të disa organizatave të shoqërisë civile në vend, kufiri gjashtë-mujor i nenit 90 është absolut. Në këtë lexim, Haxhiu nuk mund të vazhdojë t’i ushtrojë kompetencat presidenciale vetëm për shkak se ende nuk është zgjedhur presidenti i ri.
Naim Jakaj nga Instituti i Kosovës për Drejtësi argumenton se, pas skadimit të këtij afati, vendi mbetet pa ushtrues detyre të presidentit.
Jakaj thotë për Radion Evropës së Lirë se kjo krijon rrezik për kaos kushtetues, sepse pa president disa detyra të rëndësishme shtetërore mund të mbeten pa u ushtruar.
“Presidenti është edhe Komandant Suprem i Forcës së Sigurisë së Kosovës. Nëse vendi mbetet pa president dhe pa ushtrues detyre me mandat të vlefshëm, nuk do të ketë as person që e ushtron këtë funksion”, thotë Jakaj.
Jakaj shton se ushtruesja e detyrës ishte paraparë si zgjidhje e përkohshme, gjatë së cilës partitë politike do të duhej të arrinin marrëveshje për zgjedhjen e presidentit.
“Fatkeqësisht, deri tani është parë më shumë se cilës parti i takon posti, sesa procesi dhe kriteret që duhet t’i përmbushë presidenti”, vlerëson ai.
Kështu, kjo zbrazëtirë kushtetuese krijon një problem të menjëhershëm praktik: nëse deri sot në mesnatë Kuvendi nuk arrin ta zgjedhë presidentin e ri, kush do t’i ushtronte kompetencat e tjera që Kushtetuta ia rezervon presidentit dhe kush do t’i shpallte zgjedhjet e parakohshme?
Në një analizë të publikuar më 2 tetor, Instituti Demokratik i Kosovës (KDI), që shqyrton ushtrimin e detyrës së presidentit përtej kufirit gjashtëmujor, vlerësoi se Kushtetuta nuk parasheh qartë se kush i ushtron kompetencat presidenciale pas përfundimit të tij.