Qeveria gjermane ka miratuar projektligjin për uljen e përkohshme të çmimeve të karburanteve, në një përpjekje për të lehtësuar barrën e qytetarëve pas rritjes së ndjeshme të çmimeve.
Sipas planit të qeverisë, nga 1 tetori 2026 taksa e energjisë për benzinën dhe naftën do të ulet me rreth 14 cent për litër. Bashkë me efektin e uljes së TVSH-së, çmimi në pikat e karburantit mund të bjerë deri në 17 cent për litër.
Masa është parashikuar të jetë në fuqi deri në fund të dhjetorit 2026. Ndërkohë, nga janari 2027 qeveria planifikon të vendosë edhe një mekanizëm për kufizimin e çmimeve të karburanteve.
Sipas Ministrisë Federale të Financave, ulja e taksave pritet t’i kushtojë shtetit rreth 2.5 miliardë euro në të ardhura tatimore, ndërsa një pjesë e kostos do të përballohet edhe nga landet federale.
Qeveria argumenton se masa synon të zbusë pasojat e rritjes së çmimeve të karburanteve, të nxitur nga tensionet dhe konflikti në Lindjen e Mesme. Një politikë e ngjashme ishte aplikuar edhe gjatë muajve maj dhe qershor, por efektiviteti i saj ishte vënë në pikëpyetje, pasi jo e gjithë ulja e taksave u reflektua në mënyrë të njëjtë në çmimet për konsumatorët.
Edhe këtë herë, ekonomistë kanë shprehur kritika, duke e konsideruar masën të kushtueshme për buxhetin dhe duke theksuar se përfitimi nuk shkon domosdoshmërisht vetëm te familjet me të ardhura më të ulëta.
Nga ana tjetër, SPD e mbështet masën, duke argumentuar se ajo mund të lehtësojë shpenzimet e miliona qytetarëve, veçanërisht të atyre që varen nga automjeti për punë dhe jetën e përditshme./kudoshqip