Në margjinat e punimeve të sesionit të 81-të të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara në New York, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, është takuar me Princin e Kurorës së Shtetit të Kuvajtit, Sheikh Sabah Khaled Al-Hamad Al-Sabah.
Kurti ka vlerësuar marrëdhëniet ndërmjet Kosovës dhe Kuvajtit, duke rikujtuar mbështetjen e këtij shteti ndaj Kosovës gjatë luftës së vitit 1999.
Sipas Kurtit, gjatë asaj periudhe një nismë televizive në Kuvajt kishte mbledhur rreth shtatë milionë dollarë për Kosovën brenda një dite, ndërsa Emiri i ndjerë i Kuvajtit kishte dhuruar një milion dollarë.
“Kuvajti e di nga përvoja e vet ç’do të thotë të përjetosh agresionin e okupimin, ta humbasësh lirinë dhe ta rifitosh me ndihmën e aleatëve”, ka shkruar Kurti, duke theksuar se Kosova nuk e harron solidaritetin e treguar nga populli dhe institucionet e Kuvajtit.
Gjatë takimit është diskutuar edhe për bashkëpunimin në fushën e sigurisë. Kurti ka bërë të ditur se Princi i Kurorës e ka falënderuar Kosovën për përkrahjen në luftimin e ekstremizmit në rajonin e Gjirit, ndërsa është diskutuar edhe për kontributin e Forcës së Sigurisë së Kosovës në misionin paqeruajtës në Kuvajt, në kuadër të Gardës Kombëtare të Iowa-s.
Kuvajti e njohu Republikën e Kosovës më 11 tetor 2011. Sipas Kurtit, këtë muaj shënohen 15 vjet nga vendosja e marrëdhënieve diplomatike ndërmjet dy vendeve.
Kryeministri ka thënë se gjatë kësaj periudhe Kuvajti ka mbështetur Kosovën në përpjekjet e saj për anëtarësim në organizata ndërkombëtare.
Në takim është diskutuar edhe për thellimin e bashkëpunimit ekonomik. Kurti ka bërë të ditur se Kosova dhe Kuvajti shprehën gatishmërinë për nënshkrimin e memorandumit për Komisionin e Përbashkët për Bashkëpunim, ndërsa pritet të përmbyllen edhe marrëveshjet për shmangien e tatimit të dyfishtë dhe për mbrojtjen e investimeve.
Një tjetër çështje e ngritur nga pala kosovare ishte kërkesa për mbështetjen e Kuvajtit që Kosova të fitojë statusin e vëzhguesit në Organizatën e Bashkëpunimit Islamik.
Sipas Kurtit, zgjerimi i bashkëpunimit ekonomik mund të përfshijë sektorë si teknologjia e informacionit dhe industria e mbrojtjes, fusha në të cilat, sipas tij, kompanitë dhe të rinjtë nga Kosova kanë krijuar mundësi të reja zhvillimi.
“Nga solidariteti i vitit 1999 te partneriteti i së ardhmes: Kosova dhe Kuvajti, miq të vërtetë”, ka përfunduar Kurti‘‘/kudoshqip.com